Reagon sërish Murtezaj: Të dehur nga “festa” e pushtetit të instaluar në nivelin më të lartë të LDK-së, ata e kanë ngatërruar shënjestrën

Aktuale

Reagon sërish Murtezaj: Të dehur nga “festa” e pushtetit të instaluar në nivelin më të lartë të LDK-së, ata e kanë ngatërruar shënjestrën

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 10:37
Lumir Abdixhiku- Valon Murtezaj

Lidhja Demokratike e Kosovës javën që po lëmë pas ka mbajtur Këshillin e Përgjithshëm, ku janë zgjedhur nënkryetarët, anëtarët e Kryesisë dhe të Forumeve.

Por jashtë këtyre organeve të partisë kanë mbetur jashtë figura të njohura të LDK-së, ndër ta edhe profesori i njohur, Valon Murtezaj.

Gjatë kësaj jave Murtezaj reagoi për herë të dytë lidhur me zhvillimet në LDK, duke thënë se i ndërgjegjshëm për peshën e vendimeve dhe pasojave që merren në Kryesinë e partisë, unë nuk mund të rri heshtur.

Ai thotë se të dehur nga “festa” e pushtetit të instaluar në nivelin më të lartë të LDK-së, ata e kanë ngatërruar shënjestrën”.

Lexoni të plotë reagimin e Murtezajt:

Në Kryesinë e LDK-së merren vendime për qëndrimet e LDK-së, në raport me çështjet më të rëndësishme. Kjo përfshin edhe qëndrimet për interesa nacionale të Republikës së Kosovës.

I ndërgjegjshëm për peshën e këtyre vendimeve dhe pasojave, unë nuk mund të rri heshtur.

Pas mbylljes së derës dhe mundësisë, i gjendur në rrethana të pamundësisë për të shprehur qëndrimet dhe pikëpamjet e mia, në nivelin më të lartë të strukturës organizative të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kryesinë e saj, do të më duhet dhe do të vazhdoj që qëndrimet e mia t’i shpalos përmes formave të tjera të komunikimit me qytetarin dhe publikun në përgjithësi.

Përgjatë historisë është e dëshmuar se mentaliteti autoritar një gjë nuk e kupton, se zëri i të vërtetës nuk mund të shuhet.

Të dehur nga “festa” e pushtetit të instaluar në nivelin më të lartë të LDK-së, ata e kanë ngatërruar shënjestrën.

Si rrjedhim, në kohët që po vijnë, do të vazhdoj të jem prezent për të shfaqur me ndërgjegje, vendosmëri dhe përgjegjësi qytetare mendimet dhe qëndrimet e mia, gjithë atë që në bindjen time e vlerësoj se është në shërbim të interesit më të lartë për qytetarët e Kosovës dhe interesat nacionale të Republikës së Kosovës.

Për Liri dhe Demokraci, i rrënjosur në Dardaninë Antike, për Kosovën evropiane, gjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat