“Marrëveshja për tërheqje të dëshmisë 200 mijë euro” - Gazetari Sopa reagon pas arrestimit të Haxhi Shalës: Ku po i marrin këto para?

Aktuale

“Marrëveshja për tërheqje të dëshmisë 200 mijë euro” - Gazetari Sopa reagon pas arrestimit të Haxhi Shalës: Ku po i marrin këto para?

Nga: N. Sh. Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 18:07
Haxhi Shala

Gjykata Speciale ka arrestuar ish-deputetin e Kosovës, Haxhi Shalën, i njohur si komandant “Topi”.

Haxhi Shala, është arrestuar lidhur me krime kundër administrimit të drejtësisë. Kundër tij dhe Sabit Januzi e Ismet Bahtijari tashmë është konfirmuar edhe aktakuzë.

Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzi dhe Bahtijari me dëshmitarin 1.

Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të Shalës, Januzit dhe Bahtijarit u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Sipas Aktakuzës, “kjo sjellje tregon se z. Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në Aktakuzën e Konfirmuar Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim; dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Në aktakuzë thuhet se dëshmitari tha se nëse do t’i ofronin 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje.

“Konkretisht, JANUZI i tha Dëshmitarit 1 se SHALA i kishte kërkuar JANUZIT që të përcillte mesazhin se nëse Dëshmitari 1 tërhiqte dëshminë e tij, atëherë SHALA dhe persona tjerë të paidentifikuar do t’i ofronin ‘ndihmë’. Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse SHALA dhe/ose të tjerët i sillnin 200,000 euro, ata do të kishin një marrëveshje”, thuhet në aktakuzë.

Pas arrestimit të Shalës, ka reaguar gazetari Jeton Sopa.

Përmes një postimi në Facebook, Sopa pyet se ku po i marrin këto para këta që po duan me i ble dëshmitarët?

“Nëse është e vërtetë kjo çka po thotë Prokuroria Speciale në Hagë, unë nuk e kuptoj se qysh k'ta "shokët" e Hashimit bajnë k'si budallina kur dihet se Gjykata Speciale është vendosë jasht vendit pikërisht për sigurinë e dëshmitarëve.

Nëse të akuzuarit në Hagë po pretendojnë se janë të pafajshëm, çfarë zori kanë me ju çu mesazhe të tilla dëshmitarëve?

Qysh dojnë me u mbrojtë tash të akuzuarit nëse vërtetohen këto pretendime të prokurorisë?🤔

Pastaj shtrohet pyetja ku po i marrin tan k'to pare që po dojn me i ble dëshmitarët ?!", shkruan Sopa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat