“I japim edhe pa recetë” – Paratë në kuletë, antibiotikët në xhep

Aktuale

“I japim edhe pa recetë” – Paratë në kuletë, antibiotikët në xhep

Më: 9 janar 2024 Në ora: 17:30
Antibiotikët

Pak më shumë se shtatë euro e 60 centë mjaftojnë për t’i blerë dy lloje antibiotikësh në barnatore në Prishtinë.

Përveç parave, shitësit nuk kërkojnë asgjë tjetër… as recetë nga mjeku.

“Po, ne japim antibiotikë edhe pa recetë… Pse çka ka të keqe?!”, thotë një teknike e farmacisë për Radion Evropa e Lirë, në një nga barnatoret në lagjen Dardania në Prishtinë.

Edhe pse vetëm teknike e farmacisë e jo farmaciste, ajo tregon se si duhet të përdoret lloji i antibiotikut të blerë, Amoxicillin.

Farmacisti Shkumbin Jusufi, anëtar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, beson se ndër shkaqet kryesore të këtij problemi është mungesa e farmacistëve, të cilët në barnatore në Kosovë zëvendësohen shpeshherë me teknikë të farmacisë.

“Unë mendoj se ata e bëjnë abuzimin më të madh. Ata nuk ia dinë të mirat dhe të këqijat antibiotikut. Ai [tekniku] është jokompetent për atë që e jep. Te ne, pas orës 15:00, 99 për qind e barnatoreve punojnë pa farmacistë e pa njeri kompetent”, thotë Jusufi.

Antibiotikët shiten pa recetë të mjekut edhe në shumë barnatore të tjera në Kosovë. Në një prej tyre, Radio Evropa e Lirë kërkoi të blejë një lloj antibiotiku për fëmijë, Ospen.

E habitur nga pyetja se a është normale të merret ky lloj ilaçi pa recetë nga mjeku, farmacistja në këtë barnatore thotë se “nuk është problem të jepet ky antibiotik se është i përgatitur [shitet i gatshëm për t’u konsumuar, nuk kërkon përgatitjen e tij nga tekniku i farmacisë]”.

Kosova ka ligj dhe udhëzim administrativ që e ndalon shitjen e ilaçeve pa recetë. Por, ato nuk respektohen.

Në udhëzimin administrativ mbi recetat në sistemin shëndetësor në Kosovë thuhet se “farmacisti ka të drejtë të japë vetëm barin, i cili është i përshkruar në recetë” maksimumi deri në tri ditë pas përshkrimit të antibiotikut nga mjeku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat