Në fund të mandatit, Lajçak bën tentativat e fundit për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi

Aktuale

Në fund të mandatit, Lajçak bën tentativat e fundit për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi

Më: 29 janar 2024 Në ora: 23:17
Miroslav Lajçak

Mirolav Lajçak ka qëndruar të hënën në Serbi, ku është pritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin kanë diskutuar për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pas Beogradit, të martën Lajçak do të qëndroj edhe në Prishtinë.

Është në muajt e fundit të mandatit të tij.

Kështu, Miroslav Lajcak po bën tentativat e fundit që të përmbushë misionin e tij, normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbi.

Me këtë detyrë, të hënën, Lajcak ka qëndruar në Beograd, ku ka takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi gjendjen në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, tha Miroslav Lajçak.

Përveç këtij shkrimi në llogarinë e tij në platformën “X”, Lajcak nuk ka folur për gazetarët pas takimit.

Rrjetet sociale për informim, i shfrytëzoi edhe Vuçiq, i cili shkroi se ia ka theksuar përsëri përfaqësuesit evropian, rëndësinë e themelimit të Asociacionit, e mbajtjen urgjente të zgjedhjeve lokale në veri.

Megjithatë, këto kërkesa të Vuçiq, analisti serb Dushan Janjiq, thotë se nuk mund t’i plotësoj Lajçak.

“Lajcak dhe Borrell mund të vazhdojnë që në njëfar forme ta luajnë rolin e lehtësuesit, mirëpo në të vërtetë ata nuk janë të tillë. Tani duhet që patjetër grupi i QUINT-it të angazhohet drejtpërdrejt në procesin e normalizimit të raporteve, nëse ata vërtetë duan që ta largojnë problemin serioz, problemin e implementimit të marrëveshjeve”, thotë Dusan Janjic – analist politik.

Për shkak të zgjedhjeve në BE, pesimist për të ardhmen e dialogut këtë vit, është edhe profesori në departamentin e shkencave politike, Dritëro Arifi.

“Bashkimi Evropian nuk po dëshiron që me e gjet një rrugë të mesme mes Kosovës dhe BE-së, që çka do të ndodhë në rast se Kosova e zbaton marrëveshjen. A do të avancohet Kosova, a do të njihet si shtet kandidat, si shtet anëtar i BE-së, pra janë shumë pyetje për të cilat BE-ja nuk ka dhënë përgjigje dhe Kosova në këtë rast mund të jetë viktima, por ne duhet të sillemi në formën që duhet ta kërkojmë një zgjidhje nga BE-ja, jo nga të tjerët”, tha Dritëro Arifi – profesor universitar.

Pas Beogradit, të martën Lajçak do të qëndroj edhe në Prishtinë. Në kryeqytetin kosovar, pritshmëritë janë që Lajçak të takohet vetëm me zëvendëskryeministrin, njëherësh kryenegociatorin Besnik Bislimi.

Diplomatit sllovak, Këshilli i Bashkimit Evropian, ia ka vazhduar mandatin deri në gusht të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat