Ish-kryeinspektori i AKI-së: Rasti i Banjskës mund të përsëritet

Aktuale

Ish-kryeinspektori i AKI-së: Rasti i Banjskës mund të përsëritet

Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 11:03
Pamje nga sulmi në Banjskë

Kosova u trondit nga një sulm i një grupi terrorist serb që ndodhi me 24 shtator në fshatin Bansjkë të Zvecanit.

Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

Po atë ditë në orët e pasdites Manastiri i Banjskës ku po strehoheshin sulmuesit u mor nën kontrollë nga Policia e Kosovës, derisa afër 30 sulmues dyshohej se po fshihen aty.

Ky sulm u dënua ashpër nga SHBA, BE dhe vendet e tjera aleate të Kosovës.

Por,  a mund të përsëritet një ngjarje e ngjashme në këtë pjesë të vendit?

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, nuk e ka përjashtuar një mundësi për përshkallëzim të situatës atje.

Sipas Ramadanit, kjo mund të ndodhë pasi ende nuk është dënuar Serbia dhe derisa nuk ka sanksione veriu është në rrezik.

“Rigrupimi dhe riorganizimi i sulmeve të ngjashme, pavarësisht volumit të tij, nuk mund të përjashtohet derisa as nuk është ndëshkuar Serbia dhe as nuk janë dënuar terroristët. Përkundrazi, ata terroristë janë të fuqishëm në Serbi dhe vendimmarrës në shtetin e Serbisë”, ka thënë Ramadani.

Ramadani thotë se dritën e gjelbër për sulmin në Banjskë e dha presidenti serb.

“Qasja e pabalancuar e BE-së shihet dukshëm pas sulmit terrorist në Banjskë, 24 shtator 2023. Sulmi ishte organizuar dhe grupi paramilitar ishte trajnuar dhe pajisur nga Ushtria e Serbisë. Për këtë, dritën e gjelbër e kishte dhënë Presidenti i Serbisë, Vuçiq”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat