Rikonstituohet Bordi i RTK-së, Besnik Boletini rizgjedhet si kryetar

Aktuale

Rikonstituohet Bordi i RTK-së, Besnik Boletini rizgjedhet si kryetar

Më: 18 mars 2024 Në ora: 19:28
Besnik Boletini

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar për rizgjedhjen e Besnik Boletinit dhe Arta Berishës nga Kuvendi i Kosovës, si anëtarë të Bordit të RTK-së me mandat shtesë 3-vjeçar.

“Në mbledhjen e Bordit të zhvilluar me datë 18 mars 2024, në përputhje me Ligjin për RTK-në, Statutin dhe Rregulloren e punës së Bordit, anëtarët e Bordit kanë rizgjedhur për kryetar të Bordit të RTK-së Besnik Boletini për një mandat shtesë”, thuhet në komunikatën e Bordit të RTK-së.

“Besnik Boletini ka qenë në këtë detyrë për një mandat 2-vjeçar deri në dhjetor 2023, kur mandati i tij ka përfunduar. Duke filluar nga data 18 mars 2024, Bordi i RTK-së do të vazhdojë punën nën udhëheqjen e Besnik Boletini si kryetar, ndërsa znj. Albulena Mehmeti do të vazhdojë të mbajë pozicionin e nënkryetares”.

Prioritet i Bordit të RTK-së do të mbetet mbikëqyrja transparente e punës së RTK-së në drejtim të reformave administrative dhe programore.

Bordi i RTK-së shpreh falënderim për besimin e Kuvendit të Kosovës në punën e Bordit, dhe premton që do të vazhdojë të punojë për përmbushjen e misionit të RTK-së në shërbim të publikut të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat