Senatori Murphy dhe emisari britanik Peach, flasin për bashkëpunimin rreth dialogut Kosovë-Serbi

Aktuale

Senatori Murphy dhe emisari britanik Peach, flasin për bashkëpunimin rreth dialogut Kosovë-Serbi

Më: 20 mars 2024 Në ora: 20:43
Chris Murphy dhe Stuart Peach

Senatori amerikan, Chris Murphy, ka njoftuar se sot e ka pritur në takim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emisarin britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Murphy ka thënë se në këtë takim kanë folur për atë se si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja mund të punojnë së bashku për dialogun Kosovë-Serbi dhe për Bosnje e Hercegovinën.

“Gëzohem të mirëpres të dërguarin e Britanisë për Ballkan, Lordin Stuart William Peach në zyrën time sot për të folur rreth mënyrës se si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja mund të punojnë së bashku për çështjet e Kosovës/Serbisë dhe Bosnjës”, shkroi ai në platformën X.

Kujtojmë se sa i përket dialogut, sot zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, paralajmëroi të mërkurën se nevojitet një takim i nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Ai, megjithatë, nuk tregoi se kur mund të ndodhë një takim i tillë nën ndërmjetësimin e bllokut.

“Zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, sikur edhe kërkesat shtesë për formalizm, kanë nevojë të adresohen nga liderët gjatë takimit të radhës në nivel të lartë, në kuadër të dialogut”, tha Stano.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

BE-ja paralajmëroi në fillim të kësaj jave se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Ajo kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat