​Kurti përkujton dëshmorët Bekim Gashi dhe Dalip Behra në 25-vjetorin e rënies

Aktuale

​Kurti përkujton dëshmorët Bekim Gashi dhe Dalip Behra në 25-vjetorin e rënies

Më: 13 prill 2024 Në ora: 20:09
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot dëshmorët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Bekim Gashi dhe Dalip Behra në 25-vjetorin e rënies në një pritë të forcave kriminale serbe, derisa ata ishin të angazhuar në varrosjen e trupave të pajetë të shqiptarëve në Masakrën e Krushës së Madhe.

Kurti ka thënë se dëshmorët dhe martirët e rënë gjatë luftës në Kosovë, kanë histori të ndërlidhura dhe të pashkëputura, pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli nga populli si një ushtri vullnetarësh e përbërë prej luftëtarësh çlirimtarë.

Në njërën anë ushtarët e UÇK-së luftonin kundër ushtrisë dhe policisë së Serbisë për ta çliruar Kosovën, kurse në anën tjetër angazhoheshin ta mbronin popullsinë civile, prej nga vinin edhe vetë ata e prej të cilës ushqeheshin, ka shkruar ai në Facebook.

“Sot, i kujtojmë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë dëshmorë 25 vite më parë më 13 prill 1999. I kujtojmë Bekim Gashi dhe Dalip Behra, që të angazhuar në varrosjen e kufomave të Masakrës së Krushës së Madhe, ranë në pritë të forcave serbe dhe në përballje me ta, ranë dëshmorë! Dalip Isuf Behra (1962) nga Krusha e Madhe, kishte sjellë armatim nga Shqipëria qysh herët, teksa ishte mobilizuar në Brigadën 124 të Zonës Operative të Pashtrikut. Kurse Bekim Ismet Gashi (1976), i kishte braktisur studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’u radhitur mes vullnetarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kishte ushtruar detyrën e zëvendëskomandantit të Policisë Ushtarake të Brigadës 124. Lavdi dëshmorëve Bekim Gashi dhe Dalip Behra, bashkë me të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës,” ka shkruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat