Hoti: Me këtë buxhet të FSK-së largohen kuadrot, s’mbahet as stoku aktual i armatimit

Aktuale

Hoti: Me këtë buxhet të FSK-së largohen kuadrot, s’mbahet as stoku aktual i armatimit

Më: 28 maj 2024 Në ora: 20:24
Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë të martën se Qeveria e Kosovës nuk është duke duke punuar në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së sipas planit 10-vjeçar të dakorduar me aleatët.

Hoti përmendi standardin 2 për qind të GDP për të investuar në ushtri, derisa ai publikoi edhe statistikat e investimeve qeveritare në FSK, ku më e larta është 1.84% në vitin 2023.

Me këtë nivel të ndarjes së buxhetit, Hoti ka paralajmëruar se do të largohen kuadrot nga ushtria dhe se kështu nuk mbahet as stoku aktual i armatimit.

“Dje, të gjithë u gëzuam me avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Por Qeveria e Kosovës nuk është duke punuar në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së sipas planit 10-vjeçar të dakorduar me aleatët.  Kjo dëshmohet me ndarjet buxhetore këto vite që shkuan, si dhe në planifikimet në tri vitet në vijim.

Në “Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2025-2027, të cilën Qeveria e ka sjell në Kuvend para disa jave, shpenzimet për mbrojtje mbesin larg standardit të NATO-s prej 2% të vlerës së Produktit të Brendshëm Bruto. Kështu nuk ndërtohet një ushtri që tenton të anëtarësohet në NATO. Kështu nuk mund të mbahet as stoku aktual i armatimit. Me këtë buxhet do të kemi largim të kuadrove nga ushtria. Me këtë buxhet nuk do të jetë tërheqëse për të rinjtë për të ndërtuar karrierë ushtarake”, ka shkruar Hoti në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat