Me lansimin e fazës se dytë të projektit “Më shumë zgjedhje: Politikat e Përgjegjshme Gjinore për Familjen për Sektorin Privat në Kosovë - Faza 2”, po promovohet rëndësia që kanë politikat familjare të përgjegjshme ndaj gjinisë në sektorin privat, pasi zbatimi i tyre është edhe kontribut i drejtpërdrejtë për krijimin e një tregu pune miqësorë për gratë.
Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në lansimin e projektit “Më shumë zgjedhje: Politikat e Përgjegjshme Gjinore për Familjen për Sektorin Privat në Kosovë - Faza 2” nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Konjufca ka thënë se nisma të tilla si kjo janë shumë të nevojshme për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
“E vetmja agjendë e drejtë mendoj që është ajo që bazohet mbi principin e ndarjes së barabartë të punës në familje dhe vetëm kjo e mundëson zhvillimin e qëndrueshëm shoqërorë sepse ndarja e pabarabartë e punës në kurriz të grave dhe vajzave iu merr atyre kohën që iu takon dhe kjo kohë është këputje e ambicieve, e karrierës, punës, aktivitetit krijimtarisë dhe prodhimit, një kufizim social të cilin vet shoqëria e aplikon mbi vetvete.. Me lansimin e fazës se dytë të këtij projekti po promovojmë rëndësinë që e kanë politikave familjarë të përgjegjshme ndaj gjinisë në sektorin privat.. Zbatimi i këtyre politikave nuk duhet të mendohet vetëm nga prizmi i mirëqenies së punëtorëve dhe familjeve por edhe si kontribut i drejtpërdrejtë për krijimin e një tregu pune i cili është treg miqësorë për gratë.. Ky projekt të cilin e kemi filluar ta implementojmë do të shërbejë si një inkurajim për të gjithë punonjësit që të zbatojnë këto politika dhe në vendin e punës , nisma të tilla si kjo janë shumë të nevojshme për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa, kryesuesja e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm Fatmire, Mulhaxha Kollçaku ka shtuar se ligji i ri i punës do të përfshijë barazinë, pushimin prindërorë dhe natë të kujdestarisë.
“Politikat e përgjegjshme gjinore për familjen janë një mjet i rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe barazisë gjinore. Në mënyrë të veçantë, ato ndihmojnë eliminimin e disa prej pengesave të cilat përballen gratë me hyrje dhe qëndrimin në tregun e punës, duke lehtësuar dhe rishpërndarjen e barrës së pa paguar së kujdesit në familje, e dimë se në rajon gratë shpenzojnë tri orë më shumë në ditë se burrat për punën dhe në kujdes në shtëpi dhe ndaj familjes...Ligji i ri i punës do të përfshijnë këtë barazinë, pushimin prindëror dhe natë të kujdestarisë... Aktualisht jam pjesë e një qeverisje që promovon vlera social-demokrate dhe tashmë kemi dëshmuar përkushtimin e saj për barazi gjinore, duke futur disa masa si shtesat për fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, pagesa e lehonisë për gjashtë muaj sigurimi i bursave për vajzat në teknologji dhe informacion dhe në masa tjera mbështetëse. Aktualisht përmes buxhetit, por edhe pas miratimit të marrëveshjes ndërkombëtare në Kuvend ka filluar edhe zbatimi i planit për ndërtimin e banimit social si dhe për strehim të përballueshëm për çiftet e reja që sapo kanë krijuar familje si dhe rritjen e numrit të e qendrave publike për kujdes ndaj fëmijëve”, theksoi ajo.
Po ashtu, shefja e Zyrës së UNFPA-së, Visare Mujku-Nimani është shprehur se ky projekt kontribuon në mirëqenie, respektimin e të drejtave për barazi gjinore dhe prosperitetin ekonomikë.
“Kjo nismë pasqyron angazhimin tonë kolektiv, për të nxitur një mjedis ku çdo individë pavarësisht nga gjinia mund të përparojë si në shtëpi ashtu edhe në vendin e punës...Ky projekt kontribuon në mirëqenie, respektimin e të drejtave për barazi gjinore dhe prosperitetin ekonomikë...Objektivi i këtij programi përputhet edhe me direktivat kyçe të BE-së dhe duke i përafruar këto ligje me këto politika të BE-së, ne po hapim rrugën për një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe më të barabartë...Synimi ynë është të përforcojmë bashkëpunimin me politik bërësit duke rritur kapacitetet institucionale për të krijuar një mjedis të favorshëm”, është shprehur ajo.
Në fund është hapur edhe një ekspozitë me fotografi.