​“Liria të ruhet si sytë e ballit”, “12 qershori është Rilindja e Kosovës”, qytetarët festojnë Ditën e Çlirimit

Aktuale

​“Liria të ruhet si sytë e ballit”, “12 qershori është Rilindja e Kosovës”, qytetarët festojnë Ditën e Çlirimit

Më: 12 qershor 2024 Në ora: 15:55
Foto ilustrim

“E kujtoj pikërisht ditën e sotit të vitit 99, kur nëpër Prishtinë ende janë sorollatur në ikje forcat barbare serbe”, “12 qershori është Rilindja e Kosovës”, “Gjaku i tyre është liria e sotit që ne e gëzojmë”, “Është interesante me qenë këtu, me i dëgjuar fjalimet të mira për njerëzit që kanë dhënë jetën që ne të jemi këtu”, “Duhet ta ruajmë lirinë më shumë se dritën e syrit”. Këto fjalë ishin më të paktat që mund t’i thoshin qytetarët e Kosovës në 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

E sot çdo cep i shesheve të kryeqytetit ishte i stërmbushur me qytetarë, të cilët kishin dalë për ta përjetuar edhe njëherë ndjenjën e çlirimit, që e kishin pasur para 25 viteve.

Qytetari Remzi Fetahu, të cilit ende iu parafytyronte kjo ditë para 25 viteve, kujton se si kanë ikur forcat serbe nga Prishtina.

Sipas tij, 12 qershori është dita e “Rilindjes së Kosovës”.

Fetahu: 12 qershori është dita e “Rilindjes së Kosovës”

“Është ndjenjë e veçantë, kremtimi i 25 vjetorit, e kujtoj pikërisht ditën e sodit të vitit 99, kur nëpër Prishtinë ende janë sorollatur në ikje forcat barbare serbe, sepse kam qenë prezent, dëshmitarë i gjallë që i kam parë. E sot, është krejtësisht ndryshe, është një epokë e re, një rilindje. Unë kisha thënë 12 qershori është Rilindja e Kosovës, pavarësia e Kosovës është shpallur me 17 shkurt, por Rilindja e Kosovës, e popullit shqiptar është me 12 qershor, pikërisht atë ditë kur kanë zbarkuar forcat e NATO-s ne Kosovë. Ata e kanë meritën më të madhe, ata që nuk janë në mesin tonë, fatkeqësisht por është rezultat i gjallë, gjaku i tyre është liria e sodit që ne e gëzojmë. Kosova rrugën e ka shtruar presidenti historik Rugova, vetëm duhet bashkëpunim, miqësi, miq dhe forcim i ushtrisë së Kosovës. Na nevojitet kohë. Ne jemi një fëmijë i ri, një foshnje e porsalindur, por shumë besojmë dhe shpresojmë që djemtë tonë do të na përfaqësojnë në mënyrën më të ndershme”, ka thënë Fetahu.

Ndërsa, Leutrim Berisha, i cili kishte ardhur nga Peja për ta përcjellë ceremoninë shtetërore, ka shtuar se në mënyrë që të bëhet Kosova anëtare e NATO-s, duhet të ketë më shumë përforcime në Ushtrinë dhe Policinë e Kosovës.

Berisha: Më shumë përforcime në Ushtri e Polici

“Po ndihem shumë mirë, kam ardhur prej Peje me e përcjellë. Urime 25 vjetori, ishalla gjithmonë liri e pavarësi, të gjitha të mirat. Më shumë përforcime, në ushtri, polici dhe të gjitha”, ka shtuar Berisha.

Qytetari tjetër Haxhi Gashi, shpreh më të mirat për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, si dhe për shtetet që kanë ndihmuar, ndërsa për ato shtete që nuk e dëshirojnë Kosovën, sipas tij nuk i intereson askujt.

Gashi: Zoti i bekoftë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të tjerat shtete që na duan, ato që nuk na duan, nuk na interesojnë

“Nuk ka festë më të madhe për shqiptarinë, kjo festa është për të gjithë shqiptarët dhe për shtet. Nuk kam histori të luftës, por kam histori të minierës, Minatori Trepça, e prej aty kanë filluar themelet. Zoti i bekoftë të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe Kosovën si shtet, dhe të tjerat shtete që na duan, ata që nuk na duan nuk na interesojnë. Ajo është e nënshkruar, vetëm edhe pak”, është shprehur Gashi.

Po ashtu, Bora Bellopoja nxënëse në klasën e tetë në shkollën “Faik Konica”, ka theksuar se është një ndjenjë interesante për të dëgjuar fjalimet më të mira për njerëzit që kanë dhënë jetën që rinia e Kosovës të jetojë lirshëm sot.

Bellopoja: Është interesant me qenë këtu, me i dëgjuar fjalimet të mira për njerëzit që kanë dhënë jetën që ne të jemi këtu

“Është një ndjenjë e mirë, është interesant me qenë këtu, me i dëgjuar fjalimet të mira për njerëzit që kanë dhënë jetën që ne të jemi këtu. Ka qenë fat i mirë që shumë familjarë të familjes sime nuk kanë vdekur në luftë, por kam pasur shumë familjarë të cilët është dashur të largohen prej Kosovës, të cilët jetojnë tash jashtë”, ka theksuar ajo.

E për fund, vëllai i dëshmorit, Habib Zeka, Isa Zeka në mesazhin e tij për qytetarët e Kosovës ka potencuar se kjo liri duhet të ruhet më shumë se “drita e syrit”.

Zeka: Duhet ta ruajmë lirinë më shumë se dritën e syrit

“Luftuam me shekuj, pa ndalur kurrë edhe derisa arritëm në pikën e duhur, në pikën e lirisë. Duhet ta ruajmë lirinë më shumë se dritën e syrit. Gjithashtu të bëjmë kultivimin e miqve, e ruajtjen e miqve më shumë se shëndetin tonë”, ka potencuar ai.

Me rastin e 25-së vjetorit të çlirimit të Kosovës, sot, në ora 18:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, organizohet koncert festiv publik në nder të 25-vjetorit të Çlirimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat