Zërat që i dhanë jehonë luftës, rrëfimi i gazetarëve britanikë

Aktuale

Zërat që i dhanë jehonë luftës, rrëfimi i gazetarëve britanikë

Më: 12 qershor 2024 Në ora: 18:53
David Lloyn

Me raportimet e tyre ndryshuan rrjedhën e historisë.

Zëri i tyre u bë alarm për shtetet e fuqishme që ti kthejnë sytë kah Kosova në kohën kur forcat serbe kryen mizori mbi popullatën civile.

Terreni ishte i vështirë, jeta e tyre në rrezik u vu gati në çdo moment megjithatë vullneti për të treguar vuajtjet e kosovarëve nuk mungoi asnjëherë.

Njëri ndër gazetarët që ishte në vijën e parë të raportimit gjatë luftës në Kosovë është korrespodenti i BBC, David Lloyn, i cili tregon detaje interesante se si raportimet e tij dhe te kolegeve gazetarë ndikuan tek liderët perëndimor që të ndërhyjnë ushtarakisht në Kosovë.

“Gazetaria që bëmë ne gjatë asaj periudhe pati ndikim të jashtëzakonshëm. Ne ekspozuam një sërë incidentesh të ndryshme përshirë këtu masakrën në Prekaz të familjes Jashari. Disa nga raportimet më të rëndësishme që bëmë ishte tregimi se si po përdoreshin tanket serbe kundër fshatarëve në Drenicë. Më pas raportuam për masakrën në Abri e cila ishte një pikë kthese sepse ish-sekretari i Jashtëm, Robin Cook, mori kasetën e raportit tonë dhe ia tregoi atë Madeleine Albrightit, dhe vetëm pak ditë më vonë NATO u nis për herë të parë të ndërmarrë veprime ushtarake me vendosmëri kundër forcave të armatosura serbe që po shtypnin qartazi popullin në Kosovë”, shprehet korrespodenti i BBC-së, David Lloyn.

Edhe gazetari i njohur britanik, Vaughan Smith, i cili gjatë luftës në Kosovë kishte xhiruar sulmin në Prekaz dhe kufomat e të vrarëve, thotë se u krijua një momentum që NATO të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë.

“Kur gazetarët ndërkombëtarë raportonin për masakrat sigurisht që Prekazi morri vëmendje të madhe sepse përfshiu gjithçka. Pas Prekazit u kryen masakra të tjera në Abri e Reçak në një periudhë të shkurtër kohore. Raportimet e gazetarëve ndërkombëtar dhe lokal u dëgjuan dhe patën ndikim të madh që NATO të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë”, thotë gazetari britanik Vaughan Smith

Ishin në krye të detyrës por përjetimet që patën ndikuan emocionalisht tek ta. Andaj, raportimi në disa raste qe goxha i vështirë për Smith.

“Kurrë nuk do ta harroj një moment kur e kam parë një shtëpi të djegur afër Poklekut, brenda aty ishin trupat e familjarëve që kishin vdekur dhe kishin mbetur aty për disa kohë. Duke qëndruar aty pamë një burrë që po vinte me nxitim nga Kodra për tek shtëpia, por kur hyri brenda ai e pa që familjarët e tij tashmë kishin vdekur. Këtë moment unë e kam incizuar me kamerë, por e përjetova shumë rëndë sepse thosha veten mos jam duke u përfshirë më shumë se ç’duhet si gazetar duke i kapur ato momente të rënda. Por shumë familjarë donin që unë ti incizoja këto momente që bota ta dijë se çfarë po ndodhte edhe pse askush nuk t’i ndihmonte” , thotë Smith.

Loyn dhe Smith u kthyen sërish në Kosovë në çerek shekullin e përfundimit të luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat