Tahiri: Haradinajt vendin në rreshtin e parë ia ka dhënë populli

Aktuale

Tahiri: Haradinajt vendin në rreshtin e parë ia ka dhënë populli

Më: 15 qershor 2024 Në ora: 12:27
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri, thotë se kryeministri Albin Kurti ka dështuar në katër vjet qeverisje. Sipas tij, Kosova gjatë udhëheqjes së Kurtit ka më shumë varfëri, ikje të qytetarëve, asnjë njohje të re dhe as anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Tahiri deklaron se kreu qeveritar s’ka asnjë kauzë tjetër politike përveç që të flasë për të kaluarën.

Pavarësisht kësaj, Tahiri thotë se nuk do të pranojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme në vjeshtë, pasi siç thekson qytetarët duhet ta shohin deri në fund keqqeverisjen e Kurtit.

Tahiri: Institucionet aktuale nuk kanë kauzë tjetër përveç që të flasin për të kaluarën

“Është fatkeqësi që shumë herë në veçanti nga qeveria e tanishme që të thuhet se në 20 vjet s’ka ndodhur asgjë. Në fakt të gjitha këto arritje janë të këtij 20 vjeçari. Në qeverisjen katër vjeçare të kryeministrit Kurti vetëm një arritje është. Është një urë që lidh dy fshatra në Dukagjin. Për katër vite nuk kemi asnjë njohje, asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Për katër vite kemi varfëri më shumë, ikje të qytetarëve të Kosovës. Kjo është brengosëse dhe këtë çështje duhet të adresojmë në ciklin zgjedhor por edhe në komunikimin në Kuvend...4:43 Institucionet aktuale nuk kanë kauzë tjetër përveç që të flasin për të kaluarën. Mundohen në çdo aspekt që me sfidu arritjet që i ka populli i Kosovës dhe me u lidh me disa dobësi nuk është se ka pasur dobësi. Mirëpo në anën tjetër kur shohim se ku është Kosova sot s’kanë çka të flasin. Kosova kurrë s’ka qenë në një stad më të dobët në rrafshin ndërkombëtar”, thotë ai.

Tahiri duke folur për manifestimin qendror të festimit të 25 vjetorit të çlirimit, thotë se krerët institucional nuk vlerësuan çlirimtarët e UÇK-së.

Sipas tij edhe vendosja e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka qenë komandant i zonës operative të Dukagjinit në rreshtin e fundit gjatë parakalimit të FSK-së dhe Policisë së Kosovës e dëshmon një gjë të tillë.

Ai nënvizon se Haradinajt vendin në rreshtin e parë ia ka dhënë populli dhe se historia nuk mund të rishkruhet.

Tahiri: Haradinajt vendin në rreshtin e parë ia ka dhënë populli, historia nuk mund të rishkruhet

“Historia nuk mund të rishkruhet. Ngjarjet historike janë premiera ato nuk mund të reprizohen. Duke qenë kështu secili prej nesh, në këtë rast edhe kryetarit Haradinaj vendi në rreshtin e parë ia ka dhënë populli. Ai ka qenë në rreshtin e parë dhe në ballafaqimin e parë me okupatorin serb. Mosrespektimi i këtyre vlerave tregon për logjikën institucionale në Kosovë. Një logjik që pretendon se në Kosovë ka fillu koha prej krejt dhe drejt. Nuk ka filluar prej krejt dhe drejt ka fillu shumë më herët me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka fillu me veprat e mëdha që i përmenda dhe këto janë gurë në kalanë e lirisë. Themeli kryesor i kalasë së lirisë në Kosovë është vendosur nga protagonistë dhe udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njëri ndër ta është edhe kryetari Haradinaj. I nderuari të nderon. Ai që nuk dinë me të nderu nuk dinë të nderojë as vetën”, shton ai.

Sa i përket deklaratës të dalë nga i ashtuquajturi kuvend gjithëserb, Tahiri thotë se e njëjta dëshmon logjikën Millosheviqiane të presidentit aktual Aleksandër Vuçiq.

Tahiri: Deklarata e të ashtuquajturit kuvendi gjithëserb s’ka asnjë ndikim në Kosovë

“Ajo është vetëm një deklaratë në letër. S’ka asnjë ndikim në Kosovë. Në fakt e ndihmon Kosovën pasi vetëm tregon logjikën e Serbisë e cila është logjikë e Millosheviqit. Është logjikë e një politike gjenocidiale me ëndrra të shekujve të kaluar...Ajo deklaratë dhe ai kuvend është një paradë që lidhet me politikën e brendshme, politikë ne nacionaliste që e ka në Serbi. Ne jemi të pavarur dhe këto janë deklarata që nuk qojnë peshë. E them me përgjegjësi të plotë as nuk pres ndonjëherë dhe as s’ka guxim dhe interes që të ndodh diçka që quhet luftë”, thekson Tahiri.

Në anën tjetër, duke folur për mundësitë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë, ai thotë se s’ka gjasa të tilla, pasi sipas tij, Kurti duhet të përfundojë mandatin në tërësi.

Tahiri: S’ka gjasa që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në vjeshtë

“Jo nuk ka. Në tendencën e Kurtit për të shkuar në zgjedhje në këtë kohë kur e kishte shumë politikën populiste ai dështoi. Tani ka qëndrim të saktë në opozitë, PDK-ja e ka konsideruar si të konsumuar procesin e shpërndarjes së Kuvendit. Qëndrimi i Aleancës ka qenë që kjo qeveri është dashur të ndodh moti në shtëpi përmes mocionin të mosbesimit që nuk gjeti përkrahje. LDK-ja e ka dorëheqjen si opsion, mirëpo Kurti nuk jep dorëheqje. Dorëheqja e Kurtit do të ishte jo vetëm dështim dhe nënshtrim por dorëzim në politikë, kështu që nuk e bënë ai këtë”, tha Tahiri.

Ai shton se AAK-ja është e hapur për një bashkëpunim me LDK-në pas zgjedhjeve dhe shpreh bindjen se opozita do të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat