Balje: 316 raste të refuzimit të aplikimit të njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale janë shumë

Aktuale

Balje: 316 raste të refuzimit të aplikimit të njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale janë shumë

Më: 15 qershor 2024 Në ora: 22:45
Deputetja Duda Balje

Viktimat e dhunës seksuale mund aplikojnë për verifikimin e njohjes së statusit edhe vitin e ardhshëm. Deputetja Duda Balje konsideron se problematike është refuzimi i 316 aplikimeve, derisa nga QKRMT kërkojnë të mos ketë afat kohor për këto raste.

Që nga themelimi i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës,mbi 2 mijë aplikime për njohje të statusit janë deponuar në këtë komision.

Prej tyre, rreth 1 mijë e 700 viktima të dhunës seksuale kanë marrë përgjigje pozitive derisa 316 aplikime janë refuzuar.

Këtë numër të refuzimit të aplikimeve e cilëson të lartë deputetja Duda Balje e cila është kryetare e komisionit për të drejtat e njeriut.

“316 raste janë shumë edhe ndoshta është mirë me u bë rishikimi i rasteve dhe me u ul në tavolinë edhe me pa qysh kanë refuzu.

Teksa përmendi vështirësitë e nënshtrimit të këtij procesi, theksoi edhe disa prej problemeve kyçe.

“Problemi i dytë është prova, pas aq viteve ti me qenë në gjendje me jep prova të cilat janë valide për çka ka ndodhë është shumë problematike, vendin ku ka ndodhë, kohën shenja a i ki apo nuk i ki.

Në mbledhjen e kaluar të këtij komisioni është vendosur që deri vitin e ardhshëm të procedohet me verifikimin e aplikimeve me mundësi vazhdimi edhe për dy vite.

Mirëpo sipas psikologes në Qendrën e Rehabilitimit dhe Torturës, Selvi Izeti, nuk duhet të ketë kufizim kohor për këto raste.

“Ne vazhdimisht kemi ngritur zërin qe ky ligj nuk duhet të ketë afat kohor për faktin që kemi të bëjmë me krime të luftës sepse të mbijetuarit kurdo që janë të gatshëm duhet ta kenë mundësinë e hapur që të flasin për traumën e tyre dhe ti njihet statusi i tyre.”

Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë bërë të ditur se kanë ngritur gjithsej 59 aktakuza për krime lufte, prej tyre 7 për dhunime seksuale.

Në një përgjigje nga PSRK për televizionin, kanë bërë të ditur se në gjykim janë 18 raste, prej tyre 10 me prezencë të pandehurit, ndërsa 8 në mungesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat