Në një postim në Facebook, profesori dhe analisti i njohur, Enver Bytyçi, ka ngritur shqetësime rreth propozimit të pajisjes së shqiptarëve në Ballkan me pasaportë dhe shtetësi shqiptare. Sipas tij, ky propozim, që duket patriotik në pamje të parë, përbën një kërcënim serioz për sovranitetin e Kosovës dhe mund të shërbejë si një instrument për ndarjen e Kosovës.
Bytyçi vë në dukje se nëse shqiptarët e Kosovës pajisen me shtetësi shqiptare, kjo mund të çojë në shpërbërjen e shtetit të Kosovës dhe rikthimin e saj nën sovranitetin e Serbisë ose bashkimin me një shtet tjetër. Ai paralajmëron se kjo strategji mund të jetë pjesë e një plani të ndarjes së Kosovës, të cilin ai e lidh me politika të mëparshme të lansuar nga figura të njohura politike, përfshirë kryeministrin Edi Rama.
Profesori gjithashtu shpreh shqetësimin se kjo strategji mund të përfitojë vetëm Serbinë, e cila vazhdimisht ka pasur interes për të ndarë Kosovën ose për ta rikthyer atë nën kontrollin e saj. Bytyçi e cilëson këtë si një rrezik serioz që mund të çojë në formimin e një Serbie të madhe dhe Shqipërie të vogel.
Postimi i Plotë:
Një ish-politikan që keqpërdori sa mundi flamurin kuq e zi, tashmë i kudogjendur në ekranet televizive të Tiranës, ka kërkuar që shqiptarët në Ballkan dhe kudo që ndodhen të pajisen me shtetësi dhe pasaportë shqiptare. Për një njeri të zakonshëm, që nuk merret me analiza dhe nuk i ndjek zhvillimet në Kosovë, në Shqipëri e në rajon, kjo kërkesë vlerësohet si legjitime. Madje autori i kërkesës vlerësohet si patriot i madh, i cili gjeti "çelësin" për ta realizuar bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
Por personi që kërkon pajisjen me pasaporta shqiptare të të gjithë shqiptarëve, p.sh në Kosovë, e di se një akt i tillë çon në zhbërjen e shtetit të Kosovës. Ai e di se nëse shqiptarët e Kosovës marrin shtetësi shqiptare, atëherë shteti i Kosovës nuk mund të ekzistojë. Dhe dikush do t'më pyesë se çfarë të keqe ka që shteti i Kosovës të zhduket e Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Po shpjegohem:
Nëse zhbëhet shteti i Kosovës ende pa u bërë Kosova anëtare e OKB-së, atëherë Kosova do të ndahet midis Serbisë dhe Shqipërisë. Ndarja e Kosovës do të bëhet, sepse që një territor si Kosova të shkëputet nga sovraniteti i një shteti (Serbisë) dhe t'i bashkohet territorit të një shteti tjetër (Shqipërisë), duhet pëlqimi i të dy shteteve, në rastin konkret Serbisë dhe Shqipërisë. Ky është rregulli ndërkombëtar. Shtetësikërkuesi e njeh këtë rregull dhe me qëllim kërkon ndarjen e Kosovës.
Një strategji si kjo e nisi Edi Rama, kur në janar 2017, sapo kishte lidh marrëveshjen me Vuçiq për ndarjen e Kosovës, hodhi idenë e krijimit të një parlamenti të përbashkët dhe gjithashtu të një presidenti të përbashkët Kosovë-Shqipëri. Sa u gëzuan asokohe patriotët nga ky lloj patriotizmi i Edi Ramës. Por Rama me presidentin e përbashkët joshi Hashim Thaçin të hyjë në vallen për ndarjen e Kosovës. Sepse i premtoi atij se Kosova e mbetur mbas ndarjes do të bashkohej me Shqipërinë dhe Thaçi do ishte presidenti i të dy Shqipërive tona. Njëkohësisht i dha mesazh presidentit të Serbisë, se po vazhdon përkushtimin e tij për zbatimin e projektit të ndarjes së Kosovës.
Serbisë nuk i intereson nëse Kosova e mbetur pas ndarjes bashkohet ose jo me Shqipërinë. Madje ata shpesh thonë se "nuk mund të ketë dy shtete shqiptare në rajon"! Të njëjtën thotë propozimi idiot për pajisjen e shqiptarëve me shtetësi e pasaporta shqiptare.
Pra Serbia tashmë po e përdor patriotizmin shqiptar si karem për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e vogel!
Ky postim ka nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale dhe pritet të përflitet më tej në vazhdim. Ndërkohë, është e rëndësishme që të analizohet më tej ndikimi që mund të ketë një masë e tillë për stabilitetin e rajonit dhe për të ardhmen e Kosovës si një shtet i pavarur.