Detaje nga protesta në Mitrovicë
Afër 300 qytetarë serbë u tubuan para një objekti që ishte përdorur nga disa institucione paralele serbe në Mitrovicë të Veriut më 2 shtator, duke thënë se po përpiqen që të kthehen në punë.
Personat që protestuan të hënën ishin punonjës të administratës të institucioneve paralele serbe, që Kosova i konsideron ilegale.
Në këtë objekt komunal, që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, paraprakisht kishin qenë të vendosura institucione që financohen nga Serbia: Zyra për Kosovën, Drejtoria e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria.
Protesta vjen disa ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës, duke thënë se këto institucione po punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e "cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Aksioni i 30 gushtit, i kryer nga institucionet e Kosovës u cilësua si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe po ashtu u kundërshtua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve lokalë në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dhe nga zyrtarët në Serbi.
Shefi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Petrit Fejza, tha për Radion Evropa e Lirë se mbyllën këtë objekt më 30 gusht, pas dyshimeve se në të kishte dokumente false.
Punëtorët, që thanë se tubimi i tyre i së hënës nuk është protestë, deklaruan se në këtë objekt për vite të tëra kanë ofruar shërbime për qytetarët.
Por, Fejza tha se ata nuk do të lejohen të hyjnë brenda objektit derisa autoritetet të kryejnë hetime.
Drejtori i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Igor Simiq, njëherësh anëtar i Listës Serbe, tha se më shumë se 30.000 persona marrin shërbime nga puna e këtyre institucioneve serbe.
“Këto nuk janë institucione paralele sepse shërbimet që ofrojnë këto institucione nuk i ofron askush tjetër. Ne paguajmë 30.000 pensione për të gjithë qytetarët, pa dallim etike. Më shumë se 4.000 shqiptarë nuk do të mund të marrin pension sepse dikush vendosi të hyjë në këtë ndërtesa dhe 26.000 serbë dhe boshnjakë”, tha ai.
Simiq i bëri thirrje misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të mundësojë që këta persona të kthehen në punë dhe të “mundësojë lirinë e lëvizjes në punë”.
Ai po ashtu i kërkoi Bashkimit Evropian, shteteve të QUINT-it dhe UNMIK-ut “të dënojnë këto lëvizje dhe të mbështesin këta persona dhe të drejtën e tyre për punë”.
Në afërsi të vendit ku serbët u mblodhën mëngjesin e së hënës u panë edhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, si dhe dy automjete të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Policia e Kosovës tha se në Mitrovicë të Veriut, në dy lokacione, u mbajtën protesta të paparalajmëruara.
“Rreth orës 08:45 protestat kanë përfunduar të qeta dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore”, tha Policia e Kosovës.
Protestat në Mitrovicë të Veriut u zhvilluan një ditë pasi në objektet që ishin përdorur nga institucionet paralele serbe u vendosën pllaka të ministrive të Qeverisë së Kosovës.
Përveç pesë institucioneve të mbyllura të premten e kaluar, në prill autoritetet e Kosovës mbyllën edhe shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë të tjera të Kosovës.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.