Konjufca: Dialogu është në qorrsokak prej të cilit s’po shoh dalje – Banjska ishte gozhda e fundit në arkivol

Aktuale

Konjufca: Dialogu është në qorrsokak prej të cilit s’po shoh dalje – Banjska ishte gozhda e fundit në arkivol

Më: 9 shtator 2024 Në ora: 12:30
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se dialogu me Serbinë është në një qorrsokak nga i cili nuk ka shumë rrugëdalje. Sipas tij, pas aktit të agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar, është shkatërruar minimumi i mirëbesimit që kërkohet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ai akuzoi edhe bashkësinë ndërkombëtare që sipas tij po tregohen të njëanshëm në këtë proces.

Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se aleatët perëndimor duhet të jenë të përcaktuar se çka po dëshirojnë në dialog.

Konjufca: Dialogu ndodhet tërësisht në një qorrsokak, pas Banjskës ka humbur minimumi i mirëbesimit në këtë proces

“Dialogu ndodhet tërësisht në një qorrsokak prej të cilit nuk po shoh shumë rrugëdalje. Këtij qorrsokaku i ka kontribuar Serbia me veprimet e veta. Dialogu në formën siç ka qenë prej viti 2011 e ka pasur arkivolin me 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë. Informatat që i posedon edhe bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet tona të sigurisë tregojnë qartë se ky grup i madh kriminal prej qindra personave e ka pasur mbështetjen drejtpërdrejtë prej shtetit serbi. Atyre i është ofruar logjistika dhe krejt mbështetja shtetërore në poligonet ushtarake për me ushtru ata dhe me i marrë armët. Kemi fakte që ka pasur shkëmbim të armëve mes ushtrisë dhe këtij grupi terrorist. Pikërisht për këtë arsye është shkatërruar edhe minimumi i mirëbesimit që kërkohet që të ketë një proces i negociatave që me vazhdu normalisht”, tha ai.

Ai nënvizoi se Kosova është e gatshme për dialog, mirëpo vetëm nëse trajtohet nga BE-ja dhe aleatët si shtet i barabartë me Serbinë.

Konjufca: Bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në raport me dialogun

“I takon bashkësisë ndërkombëtare të jetë shumë më e përcaktuar se çka po dëshiron. Nëse dëshiron palë të barabarta në dialog si dy shtete, nëse ende mendon se principi i marrëveshjes së Ohrit me funksionu palët si shtete sovrane të kombeve të bashkuara, nëse e ndajnë mendjen me ecë në këtë rrugë Kosova është e gatshme. Mirëpo nëse dëshiron me i mbyllë sytë edhe mos me reagu as kur Serbia i mbyllë kufijtë me Kosovën me mbështetje të qartë prej shtetit. Shteti serb i lejoi kriminalët që me i blloku kufijtë e Kosvoës. Ne jemi të vetëdijshëm dhe të qartë se bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në raport me dialogun”, theksoi Konjufca.

Kryeparlamentari po ashtu kërkoi nga perëndimorët që të marrin veprime në përputhje me të gjeturat pas aktit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Konjufca: Ndërkombëtarët e dinë se Serbia qëndron prapa grupit të Banjskës

“Faktorët ndërkombëtarë kanë qenë shumë të rezervuar sa i përket ndarjes dhe shpalosjes së rezultateve të hetimit të sulmit terrorist në Banjskë. Kjo nuk do të thotë se hetimet nuk ekzistojnë dhe kjo nuk do të thotë se raportet nuk janë përfunduar. Rezultatet janë kryer dhe hetimet, përgjithësi shtetet nacionale veç e veç i kanë përfunduar, duke përfshirë edhe NATO-n. Mirëpo këto janë informata të ndjeshme dhe nuk ndahen...Mirëpo në kuptimin gjeneral të këtyre informatave ne e dina që faktorët ndërkombëtarë e dinë se mbështetja e shtetit serb prapa grupit të Banjskës është pa ekuivokë”, shtoi ai.

Duke folur për Procesin e Berlinit dhe kritikat e emisarit të Gjermanisë, Manuel Sarrazin ndaj Kosovës, ai tha se i njëjti nuk po tregohet objektiv dhe se s’ka pasur mirëkuptim për masat e sigurisë që Kosova i ka vendosur ndaj mallrave serbe.

Sipas tij, pavarësisht kritikave Kosova s’do t’i largojë masat e sigurisë ndaj mallrave serbe.

Konjufca: Qeveria s’do t’i largojë masat e sigurisë ndaj mallrave serbe

“Masat mesa kam unë informata do të mbetet në fuqi. Nuk shoh ndonjë veprim që shumë shpejtë ato do të hiqen sa i përket masave të sigurisë që Kosova i ka vendos ndaj Serbisë për qarkullimin e këtyre mallrave. Kështu që mendoj se ky vit do të shkojë kështu. Plus ne sa të arrijmë në muajin dhjetor ne do të hyjmë në fushatë zgjedhor dhe do të jetë një situatë të re në vitin 2025”, theksoi Konjufca.

Në anën tjetër, Konjufca tha se me krerët institucional të Kosovës koordinohet sa i përket politikës së jashtme. Ai tha se ka dallime të vogla sa i përket qasjes që duhet përdorur, mirëpo assesi siç tha për nga përmbajtja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat