Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar dëshmorët e Pollatës dhe Grabanicës, të cilët ranë 34 vjet më herët.
Kurti tha se më 13 shtator të viti 1990, qindra policë dhe ushtarë serbë e rrethuan fshatin Pollatë të Podujevë, duke e realizuar një aksion kriminal të koduar me emrin “Munja” apo në shqip “Rrufeja”.
“Qëllimi i tyre ishte terrorizimi i popullit shqiptar të Kosovës, duke e dhënë një shembull të veçantë të brutalitetit të aparatit shtetëror të dhunës arbitrare dhe politike; si dhe pengimi i lëvizjeve dhe organizimeve të mëtutjeshme, gjashtë ditë pas mbledhjes së Kaçanikut ku më 7 shtator, delegatët e Kosovës e kishin miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
“Por banorët e Pollatës dhe të Llapit rezistuan me armë, duke i dhënë shembull gjithë Kosovës. Atë ditë në Pollatë, u vra Besim Latifi (1968) dhe Skënder Manolli. Student i drejtësisë në Universitetin e Prishtinës dhe pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1989, Besimi u vra në derë të odës së familjes së tij, teksa po dilte prej saj me pushkë në dorë. Po me armë në dorë dhe po para shtëpisë së tij, u vra edhe Skënder Manolli, gjithashtu nga Pollata”, shkroi Kurti.
Tutje, shefi i qeverisë tha se poa të ditë, më 13 shtator 1990, teksa vëllezërit Simon Dushi dhe Shtjefën Dushi, po ktheheshin nga fshati Doblibare i Gjakovës për në Deiq të Klinës, u ndaluan nga një patrullë e policisë në Grabanic, ku u malltretuan nga policia serbe.
“Policët serbë nisën t’i malltretonin arbitrarisht, e kështu në përleshje e sipër, e plagosën Simonin. Në atë situatë, Shtjefëni e nxori revolen dhe pasi e vrau një polic, mbeti edhe vetë i vrarë bashkë me vëllain e tij Simonin”.
“Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në varrimet e këtyre katër dëshmorëve të lirisë, të rënë duke i rezistuar dhunës policore, shtypjes politike dhe diskriminimit mbi baza etnike të regjimit të apartheidit që Serbia po e instalonte ato kohë në Kosovë”.
“Lavdi të rënëve Besim Latifi, Skënder Manolli, Simon Dushi dhe Shtjefën Dushi, mes të rënëve në rrugën e gjatë të rezistencës dhe luftës për lirinë e Kosovës”.