​BE ende pa datë për takimin e kryenegociatorëve në Bruksel, skepticizëm për progres në dialog

Aktuale

​BE ende pa datë për takimin e kryenegociatorëve në Bruksel, skepticizëm për progres në dialog

Më: 13 tetor 2024 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar datën e takimit të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, përkundër paralajmërimit të përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak se i njëjti do të ndodhë gjatë muajit tetor.

Në BE thonë se për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve do të njoftojnë me kohë. Në anën tjetër, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thonë se progresi në dialog mund të bëhet vetëm kur të nënshkruhet marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Derisa janë skeptik se fryma konstruktive e Serbisë në kuadër të CEFTA-s, të reflektojë edhe në dialogun e Brukselit. Pavarësisht takimeve në dialog, progres në dialog nuk shohin në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, thotë për KosovaPress, se BE-ja duhet të jetë më e drejtpërdrejtë dhe t'i kërkojë Serbisë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Pacolli: Presim nga BE-ja të kërkojë nga Serbia zbatimin e marrëveshjes

"Sa i përket dialogut, ne insistojmë që marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit të nënshkruhen, të implementohen prej dy palëve. Ne presim që BE-ja, tash institucionet e reja dhe kushdo që zëvendëson Lajçakun në të ardhmen, të jenë më të drejtpërdrejtë dhe të kërkojnë nga Serbia zbatimin e marrëveshjes”, thotë ajo.

Deputetja e mazhorancës shton se zhbllokimi i vendimmarrjes në CEFTA dhe avancimi i statusit të përfaqësimit të Kosovës në këtë mekanizëm, nën kryesimin e Serbisë, nuk mund të sjell domosdoshmërisht sukses në dialog.

Pacolli: Marrëveshja e CEFTA-s nuk lidhet me dialogun

“Marrëveshja e CEFTA-s nuk lidhet me dialogun. Ajo çka ka ndodhur është se nën udhëheqjen e Serbisë në CEFTA, është pranuar që të largohet UNMIKU nga përfaqësimi i Kosovës. Këtu në CEFTA, ne kemi synuar dhe punuar jashtëzakonisht shumë gabimet e së kaluarës, pasi s’është dashur të jemi në UNMIK deri më sot", thekson ajo.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, deklaron se pavarësisht se është krijuar një fryme konstruktive në CEFTA, nuk pret zhvillime pozitive në dialog.

Krasniqi: S'pres zhvillime pozitive në dialog

“Vendimi që është marrë për moslejimin e hyrjes së mallrave nga Serbia ka qenë vendim i ngutshëm nga Qeveria e Kosovës, pasi s’është koordinuar me aleatët ndërkombëtarë. Ajo çka është kryesorja është se ne kemi ende masa, mirë që është hequr ai vendim por qeveria duhet të punojë në heqjen e masave... Kisha dashur me besuar se ka një momentum të ri në dialog, por me këtë qeveri nuk besoj se do të ndodhë diçka. Ka pas regres në të gjitha fushat, dialog dhe politikë të jashtme", thotë ajo.

Gjatë kësaj jave, ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak është takuar me kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi, ku tha se kanë diskutuar për përgatitjen e takimit të radhës.

Krahas kësaj, në Kosovë qëndroi edhe emisari amerikan, Alexandër Kasanof, ku nënvizoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat