Aktakuza për pengim të drejtësisë: Thaçi hesht për akuzat e reja, ish-shefi i AKI-së deklarohet në Speciale

Aktuale

Aktakuza për pengim të drejtësisë: Thaçi hesht për akuzat e reja, ish-shefi i AKI-së deklarohet në Speciale

Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 08:02 Përditësuar në ora: 13:32 më 08.12.2024
Ish-kreu i AKI-së Bashkim Smakaj

Refuzohet kërkesa për lirim me kusht, Smakaj mbetet në paraburgim

Bashkim Smakajt iu është refuzuar kërkesa për lirim me kusht dhe si rrjedhojë u urdhërua që të i caktohet masa e paraburgimit për dy muaj.

Ky urdhër u dha sot gjatë seancës për paraqitjen e parë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.

“Koha e kaluar nga faktet e pretenduara dhe deri me sot nuk e justifikojnë pengimin e procedurave. Ju parashtruar gjithashtu që nuk ekziston rreziku i krimeve të tjera duke marrë parasysh rrethanave të Z.Smakaj dhe gjithashtu mjedisin e tij përkatës… Kam marrë parasysh edhe parashtrimin për proporcionalitetin dhe kushtet konkretet ë Smakajt domethënë situatën e tij profesionale dhe personale të tij. Mbaj parasysh edhe atë që u parashtrua nga prokurori që Smakaj duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim”, tha fillimisht gjyqtarja.

Gjyqtarja konstatoi se asnjë prej argumenteve të ngritura nga ana e mbrojtjes nuk qojnë në ndryshimin e konstatimeve të saj në vendimin për arrestimin e Smakajt.

“Pasi kam shqyrtuar të gjitha argumentet, unë konstatoj se asnjë prej argumenteve të ngritura prej jush, avokat mbrojtës nuk qojnë në ndryshimin e vlerësimit të tij që kushtet e parashikuara në nenin 41 janë përmbushur ashtu siç përcaktohen në vendimin për fletarrestimin gjithashtu edhe çështje lidhur me to… po ashtu nuk jam bindur që z.Smakaj nuk është në rrezik për arratisje, në veçanti për shkak të faktit që prej kontrollit në shtator të vitit 2023, akuzuat e ngritura kundër tij janë konfirmuara të marra së bashku me ashpërsinë e veprave penale dhe mundësinë e dënimit, përbëjnë një motiv të shtuar për t’u arratisur”, tha ajo.

Gjyqtarja tha se në vlerësimin e saj, rrethanat familjare të Smakajt në Kosovë nuk e ulin rrezikun e tij për t’u arratisur.

Ndërsa, sa i takon rrezikut për kryerjen e veprave të tjera, gjyqtarja konstatoi se natyra e izoluar e pretenduar e veprave penale dhe kalimi i kohës janë faktor të pamjaftueshëm për të ndryshuar konstatimet e mëparshme të gjyqtares lidhur me arrestimin.

“Pasi kam shqyrtuar parashtrimet e palëve, unë vendos që z.Smakaj duhet që të mbetet në paraburgim. Arsyet për ndalimin e z.Smakaj janë të njëjtat sikur që janë parashtruar në të njëjtin vendin në paragrafët 43 dhe 69 (paragrafi 2)… unë konstatoj që se pari ka dyshim të bazuar mirë sa i takon përgjegjësisë penale për veprat që ju lexuan sot. Ka shkaqe të arsyeshme që ju mund të përbeni rrezik për arratisje dhe pengim të procesit gjyqësor. Për më tepër, asnjë prej kushteve të propozuara prej jush dhe asnjë prej kushteve që unë mund të vendos për z.Smakaj nuk janë të afta që të lehtësojnë këto rreziqe”, tha gjyqtarja.

Si rrjedhojë, u urdhërua që Smakaj të mbetet në paraburgim për dy muaj, ndërsa parashtrimet e palëve të dorëzohen brenda afateve të përcaktuara.

Gjyqtarja Masselot mbështet masën e paraburgimit për ish-presidentin Thaçi

Gjyqtarja Marjorie Masselot në seancën e sotme ka njoftuar vendimin e saj që ish-presidenti Hashim Thaçi të qëndrojë në paraburgim.

Ajo është shprehur se për këtë vendim janë të njëjtat arsye siç janë përcaktuar në vendimin mbi fletarrestim.

”Duke marrë parasysh parashtrimet e palëve, unë vendos që zoti Thaçi duhet të qëndrojë në paraburgim.

Arsyet për vijimin e paraburgimit janë të njëjtat arsye që unë kam përcaktuar në vendimin mbi fletë-arrestin dhe çështjet në lidhje me të, më konkretisht të shprehura në paragrafët 43, 45 si dhe 55”, u shpreh ajo.

 

Avokati i ish shefit të AKI-së pyet pse klienti i tij s’u trajtua si Hajredin Kuçi

Avokati i shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj kërkoi lirimin e klientit të tij i cili u paraqit për herë të parë në Gjykatën Speciale pasi u arrestua të enjten lidhur me një aktakuzë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Ai përmendi ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili nuk u paraburgos, por iu lëshua një fletëthirrje për t’u paraqitur para gjykatës.

“Unë e kundërshtoj ligjshmërinë e arrestimit dhe paraburgimit të klientit tim. Pikë së pari, kam diçka për të thënë: Ne e kuptojmë por nuk e dimë saktësisht – dhe mbase ZPS-ja mund të na ndihmojë – në të njëjtën lëndë gjyqësore është edhe një person që nuk është në paraburgim dhe që është ftuar të paraqitet vetë me vullnetin e tij të lirë përpara këtij trupi gjykues. Pyetja ime është pse nuk mund të ndodhte e njëjta gjë për klientin tim?”, tha avokati.

Ai tha se Smakaj “ka qenë objekt i një kërkimi më 30 shtator, më shumë sesa përpara një viti”, ku, siç tha, i ishin sekuestruar një mori sendesh, por ai s’ishte arrestuar.

Avokati tha se Smakaj s’e ka ndryshuar adresën që prej atëherë.

Ai tha se ish shefi i AKI-së është baba i katër fëmijëve, tre prej të cilëve, siç tha, kanë mbetur aktualisht pa kujdesje.

“Është baba i katër fëmijëve: tre prej fëmijëve jetojnë ende në shtëpinë e tij dhe janë fëmijë të vegjël, 17, 11 dhe 8 vjeç dhe bashkëshortja punon me kohë të plotë dhe për rrjedhojë klienti im është personi që kujdeset për fëmijët më të vegjël në moshë. Kjo është e rëndësishme sepse nuk kanë askënd që të kujdeset për fëmijët aktualisht. Është arrestuar në mënyrë të beftë, pa e ditur, dhe kjo është e pajustifikuar. Pse nuk është ftuar edhe klienti im të paraqitet vullnetarisht në këtë lëndë gjyqësore?”, tha avokati.

“Fëmijët kanë mbetur pa babain që kujdeset për ta. Ndërkohë që bashkëshortja duhet të punojë në mënyrë që t’i mbulojë shpenzimet financiare të familjes. Nuk kanë asnjë të afërm që t’u ndihmojë. Gjyshërit nuk jetojnë më, jeton vetëm babai i klientit, siç më tha klienti, por ai është 80 vjeç dhe për shkak të moshës së thyer dhe distancës ku jeton – është gati një orë larg – babai i tij nuk mund të kujdeset për fëmijët”, shtoi ai.

Ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila u bë publike më 6 dhjetor.

Ish shefi i AKI-së paraqitet në Speciale, ja çka deklaron

Ish shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj u paraqit në Gjykatën Speciale pasi u arrestua të enjten lidhur me një aktakuzë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Kur u pyet nëse dëshironte të deklarohej, ai pyeti nëse mund të konsultohej me avokatin.

A mund të konsultohem me avokatin?”, pyeti Smakaj, dhe iu dha koha prej 10 minutash për ta bërë këtë.

Më pas, ai tha se i duhet kohë dhe të shohë më shumë materiale për t’u deklaruar.

“Materialet të cilat i kam pranuar i kemi shqyrtuar, por pas konsultimit që pata tani vendos që të shfrytëzoj periudhën kohore prej 30 ditëve që të marrë edhe materiale shtesë, të shohë, se nuk i kam të gjitha materialet e nevojshme për të dhënë deklarimin sot”, tha Smakaj.

Merret vendimi: Shtyhet për të hënën seanca për paraqitjen e parë të Isni Kilajt

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vendosur që të shtyjnë për të hënën me 9 dhjetor 2024, paraqitjen e parë të Isni Kilaj në çështjen ku ai po akuzohet se bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për pengimi të drejtësisë.

Kjo kërkesë është bërë nga avokati i Kilajt i cili e përfaqësonte atë që prej shkuarjes së tij të parë në Hagë.

Seanca pritet të hënën të mbahet duke filluar nga ora 13:00.

Ndryshe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK të premten më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. 

Thaçi: Dhomat e Specializuara t’i respektojnë ligjet e Kosovës

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk do të deklarohet rreth akuzave të reja për ndikim mbi dëshmitarët, pasi tha se nuk e ka lexuar aktakuzën në tërësi.

Gjatë paraqitjes së parë për rastin e ri në Dhomat e Specializuara në Hagë, Thaçi tha "krejt papritmas para 2-3 ditësh" u njoftua për aktakuzën e re dhe nuk ka pasur kohë që ta diskutojë në thelb këtë dokument me ekipin e tij mbrojtës.

"Krejt papritmas para 2-3 ditësh u njoftova për akuzën e re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Por, unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot – unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës", tha Thaçi.

Të akuzuarit kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave që ngrihen ndaj tyre.

"Ende nuk i kam lexuar në tërësi, prandaj duhet t’i lexoj që t’i kuptoj", tha Thaçi kur u pyet nga gjykatësja nëse e ka lexuar aktakuzën.

Pas deklarimit të Thaçit, gjykatësja kërkoi një pauzë të shkurtër, pasi avokatja e Thaçit kërkoi kohë që t'i japë udhëzime Thaçit.

Pas kësaj, Thaçi sqaroi se kur u pyet fillimisht nga gjyqtarja nëse i ka kuptuar akuzat ndaj tij, ai nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen.

Gjykatësja kërkoi nga palët që të vendosin një datë për vetëdeklarimin e Thaçit. Mbrojtja tha se është dakord që më 7 janar 2025, Thaçi të vetëdeklarohet rreth aktakuzës.

Gjatë senacës, Thaçi tha se ai, familja e tij dhe shoqëria kosovare presin përfundimin e procesit ndaj tij dhe tha se pret drejtësi.

Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 dhjetor.

Në nisje të seancës, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, bëri përmbledhjen e rastit kundër pesë të akuzuarve dhe ai lexoi të drejtat Thaçit. Ndërkaq, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar u lexuan akuzat që rëndojnë ndaj Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë.

Aktakuza kundër Thaçit, Kilajt, Smakajt, Kuçit dhe Fazliut

Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.

Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 5 dhjetor, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u arrestuan dhe një ditë më pas u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndërkaq, ndaj Kuçit gjykata ka lëshuar fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Kuçi do të bëjë paraqitjen e parë para gjykatës më 9 dhjetor.

Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë.

​Aktakuza e re, Thaçi sot para gjykatës

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të ketë paraqitjen e tij të parë në rastin e ri të ngritur kundër tij dhe tre të akuzuarve të tjerë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nga ora 09:30

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë ngritur aktakuzë të re ndaj Thaçit për siç thuhet ndikim mbi dëshmitarët.

Më 29 nëntor 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.

Ish-kreu i AKI-së Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj, Fadil Fazliu u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e EULEX-it.

Fletarrestimi i lëshuar nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake iu dorëzua Thaçit në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.

Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit, “Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.”

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në kontekstin e gjykimit aktual Thaçi dhe të tjerët.

Në aktakuzën e konfirmuar, kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Kundër Fazliu, Smakaj dhe Kilaj është ngritur nga akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa ndaj Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për ditën e hënë, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat