Publicisti dhe analisti Shkëlzen Gashi ka publikuar një postim në Facebook, ku shpreh shqetësim mbi rreziqet e kthimit të strukturave paralele serbe në Kosovë dhe ndikimin e Serbisë në veriun e vendit.
Duke u shprehur me tone kritike, Gashi thekson se nëse ndodh një rikthim i një politike të tillë, pasojat do të jenë të rënda për sovranitetin e Kosovës. Ai radhit dhjetë pika kryesore, të cilat sipas tij do të ndodhnin:
1. Veriu i Kosovës do të vihej në kontrollin e bandave serbe.
2. Strukturat paralele të Serbisë do të ktheheshin në të gjithë Kosovën.
3. Zgjedhjet e Serbisë do të mbaheshin në të gjithë territorin e Kosovës.
4. Rikthimi i tabelave serbe të veturave në të gjithë Kosovën, madje edhe në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
5. Lejet e qarkullimit të veturave do të ktheheshin sipas sistemit të kohës së Milloshević-it.
6. Filialet e postës së Serbisë do të riktheheshin në Kosovë.
7. Dinarët serbë do të riktheheshin dhe mund të bëheshin madje edhe valutë zyrtare.
8. Mallrat serbe do të dominonin tregun e Kosovës.
9. Qytetarët serbë në veri nuk do të paguanin rrymë, ujë, bërllog e tatime.
10. Laboratorët e drogës të lidhura me rrethin e Milan Radojićić-it do të ktheheshin.
Po ashtu, Gashi thekson se kjo situatë do të sillte edhe diskutime të mëdha mbi asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për statusin eksteritorial për kishat ortodokse serbe.
Postimi i tij ka ngjallur reagime të shumta dhe po shpërndahet gjerësisht në rrjetet sociale, duke ndezur debat mbi zhvillimet politike dhe raportet Kosovë-Serbi.