Numërimi ka përfunduar – ja si qëndrojnë partitë nga numërimi i të gjitha votave me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta

Aktuale

Numërimi ka përfunduar – ja si qëndrojnë partitë nga numërimi i të gjitha votave me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 17:07 Përditësuar në ora: 18:42 më 04.03.2025
Foto ilustrim

Përfundon numërimi i votave me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përfunduar numërimi i votave të ardhura me postë, duke publikuar edhe rezultatet përfundimtare të këtij procesi

"Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës.

Të martën, më 4 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 187 kutitë e votimit në të cilat ishin të ndara fletëvotimet nga komuna të ndryshme të cilat i takojnë votuesit e regjistruar për votim nga jashtë vendit.

Procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.

Pas përfundimit të numërimit, rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët janë publikuar platformën https://rezultatet2025.net

Aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të votave nga votimit me kusht i zhvilluar në 56 komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e KQZ-së.

KQZ-ja numëron të gjitha votat me postë, këto janë rezultatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përfunduar numërimi i votave të ardhura me postë, duke publikuar edhe rezultatet përfundimtare të këtij procesi.

Sipas përditësimit më të fundit nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forcë kryesuese me 51.57% të votave të numëruara, që përkthehet në 31,963 vota.

Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 30.55% të votave, apo 18,933 vota të siguruara.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka arritur të marrë 9.48% të votave me postë, duke grumbulluar gjithsej 5,878 vota.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 3.23% të votave, apo 2,000 vota, duke u renditur e fundit ndër forcat kryesore politike në këtë proces.

Me rezultatet aktuale, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Për të pasur shumicën, duhen së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

Si partia e parë, Vetëvendosje i ka aktualisht 48.

Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të..

Image
Tabela

Përfundon numërimi i votave me postë, nesër përmbyllet i gjithë procesi

Në ora 16:00 është përmbyllur i gjithë procesi i numërimit të votave të ardhura përmes postës.

Këtë e ka konfirmuar për RTKlive, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi. Ndërkohë, deri të mërkurën pasdite pritet që të përmbyllet i gjithë procesi i numërimit, pra edhe i votave me kusht e atyre të personave me nevoja të veçanta.

Numërimi i votave me kusht ka nisur qysh nga mëngjesi i sotëm e ky proces në 20 tavolinat numëruese sa ka QNR-ja do të vazhdojë edhe për ato të personave me nevoja të veçanta.

Ndonëse KQZ-ja, me planin e punës e kishte përcaktuar 5 marsin si datën më të largët kur mund të dilnin me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, kjo nuk pritet të ndodhë, pasur parasysh vendimin e fundit të PZAP-së, e cila ka urdhëruar KQZ-në, respektivisht Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve që 21 fletëvotime të shpallura të pavlefshme, t’i shpallin të vlefshme e t’i përfshijnë në rezultatin përfundimtar.

​Këto janë votat e LDK-së në tetë komunat që udhëheq në nivel lokal

Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk udhëheq në asnjërën prej tetë komunave që qeverisë në nivel lokal.

Partia e Lumir Abdixhikut në Prishtinë, Pejë, Istog, Obliq, Lipjan dhe Junik, renditet e dyta në zgjedhje parlamentare, ndërkaq në Dragash dhe Fushë Kosovë, është e treta.

LDK-ja në kryeqytet sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, renditet e dyta me 25.5 për qind apo 30138 vota. Po ashtu, edhe në votat me postë është e dyta me 28.16 për qind apo 1326 vota, sipas rezultateve të fundit të publikuara më 3 mars në ora 23:37, në faqen e KQZ-së.

Në anën tjetër, në Pejë, LDK-ja renditet e dyta me 27.64 për qind apo 12 mijë e 318 vota, kurse edhe në votat me postë ,ajo është e dyta me 40.36 për qind apo 1326 vota.

Kurse në Istog, LDK-ja ka marrë 34.57 për qind apo 6023 vota duke u renditur e dyta pas Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë komunë, LDK-ja qëndron e para sa i përket votave me postë me 42 për qind apo 796 vota.

Në votat e rregullta në komunën e Obliqit, LDK-ja renditet e dyta me 23,17 për qind apo 3016 vota. Po ashtu, edhe në votat me postë është e dyta me 30.3 për qind apo 119 vota.

Në komunën e Fushë Kosovës, LDK-ja ka grumbulluar 4488 vota apo 19.35 për qind, duke u renditur e treta pas LVV-së dhe PDK-së. Kurse në votat me postë, LDK-ja ka marrë 335 vota apo 28.84 për qind.

E dyta renditet edhe në Lipjan, pasi në zgjedhje e 9 shkurtit ka grumbulluar 8362 vota apo 27.93 për qind, derisa në votat me postë ka 32.89 për qind po ashtu e dyta.

LDK-ja në Dragash renditet e treta në votat e rregullta, pasi ka grumbulluar vetëm 2519 vota apo 22.79 për qind, kurse në votat me postë është e dyta me 20.36 për qind.

Në komunën e fundit që udhëheqin në nivel lokal, në atë të Junikut, LDK-ja ka marrë 549 vota duke u renditur e dyta me 30.12 për qind. Në këtë komunë, LDK-ja, qëndron e para sa i përket votave me postë, pasi ka grumbulluar 247 vota apo 46 për qind.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave përmes postës dhe atyre me kusht.

Ka nisur numërimi i votave me kusht – KQZ pret që nesër të përfundojë procesi

Në mëngjesin e sotshëm (e martë), në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë, ka filluar numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media tha se pritet që të përfundojnë më 5 mars të këtij viti.

Sa i përket numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës, përmes postës, Elezi tha se janë duke u numëruar 10 kuti të fundit, proces i cili do të përmbyllet sot në ora 16:00, raporton KosovaPress.

“Ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe pastaj edhe votave të personave me nevoja të veçanta. Numërimi i këtyre votave të fundit, do të bëhet gjatë ditës së sotme dhe presim që të përmbyllet deri ditën e nesërme, e mërkurë… Sa i përket numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht përmes postës, sot janë duke u numëruar të fundit, 10 kuti të fundit në të cilat ka fletëvotime dhe ky proces do të mbyllet deri në orën 16:00”, tha Elezi.

Ndërsa, rreth përleshjeve që po ndodhin çdo ditë në QNR, tashmë një gjë e zakonshme, Elezi shtoi se çdo palë që ka diskutime për pavlefshmërinë apo vlefshmërinë e fletëvotimeve të drejtohen në PZAP.

​Numërohen 90.37 për qind e votave me postë, këto janë rezultatet

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave përmes postës.

Sipas përditësimit të rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më 3 mars në ora 23:37 janë numëruar 90.37 për qind e votave.

Aktualisht nga këto rezultate Lëvizja Vetëvendosje ka marr 51.70 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 30.15 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 9.52 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-NISMA kanë marr 3.09 për qind.

Numërimi i votave përmes postës pritet të përfundoj sot sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të vazhduar pastaj numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara.

Në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ-ja ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.

Rezultatet nga KQZ.

​Sot përfundon numërimi i votave të diasporës

Numërimi i votave me postë i diasporës po shkon drejt fundit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky proces do të përfundojnë sot për të vazhduar pasta numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara.

Në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ-ja ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.

Vota me kusht që do të numërohen janë 12 mijë e 801, ndërsa votat e personave me nevoja të veçanta janë 2,597.

Tek pas përfundimit të tyre dhe pasi të marrin konfirmimin nga Paneli për Ankesa dhe Gjykata Supreme, atëherë, KQZ mund të shpallë rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.

Numërimi i votave me postë/ Ja cila parti po prin me vota të diasporës në Prizren

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) vazhdon edhe sot procesi i numërimit të votave të ardhura nga jashtë Kosovës, konkretisht e fletëvotimeve të dërguara përmes postës nga diaspora.

Janë numëruar 5 kuti të fletëvotimeve të dërguara përmes postës të qytetarëve nga Prizreni që jetojnë në diasporë.

Media ka siguruar rezultatet preliminare ku deri më tani Lëvizja Vetëvendosje po prinë me 717 vota, duke u pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me 518 vota.

Garë e ngushtë në LDK, katër kandidatë po luftojnë për dy pozita për deputetë

Lidhja Demokratike e Kosovës, po vazhdon të përformoj mirë me votat me postë. Partia e Lumir Abdixhikut ka rreth 30%, kur janë numëruar 145 kuti prej 187 sa janë gjithsejtë.

Ky rezultat ka ndikuar edhe në renditjen e kandidatëve që po synojnë mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Paris Guri, Alban Zogaj, Sadri Berisha, dhe Shkëmb Manaj janë kandidatë serioz për të siguruar mandatin.

Aktualisht, Paris Guri, ka 17675, Alban Zogaj 17 645, Sadri Berisha, 17 322 dhe Shkëmb Manaj 16 864.

Kjo renditje mund të ndryshoj pas numërimit në tërësi të votave me postë.

Poashtu ditëve në vijim pritet të numërohen edhe rreth 15 mijë vota që janë me kusht dhe nevoja të veçanta.

LDK në legjislaturën e re pritet të ketë 20 deputetë. Në legjislaturën e kaluar kjo parti kishte 14 deputetë. 

Numërohen mbi 77 për qind e votave me postë, prin LVV-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka bërë të ditur se pas numërimit të mbi 77 për qind të votave të dërguara me postë, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje prin me 52.15 për qind, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29.2 për qind.

Sipas rezultateve të publikuara online nga autoritetet zgjedhore, në vendin e tretë gjendet Partia Demokratike e Kosovës me 9.7 për qind.

Ndërsa, vendin e katërt e zë koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 3.06 për qind.

Image
Tabela

Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se ka aprovuar më shumë se 63.000 pako me fletëvotime.

Për votimet e 9 shkurtit, përveç votimit me postë, qytetarët jashtë vendit për herë të parë kanë mundur të votojnë edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike.

Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike ka përfunduar dhe sipas KQZ-së, LVV-ja mori më së shumti vota, përkatësisht 12.261 vota apo 80.71 për qind.

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë do të vazhdojë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, duke mundësuar certifikimin e rezultateve dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja.

Përveç votave nga përfaqësitë diplomatike, në Kosovë fillimisht ka përfunduar numërimi i votave të rregullta.

Sipas rezultateve preliminare të votimit të rregullt, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind.

E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 për qind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46 për qind të votave të fituara.

Këto shifra tregojnë se asnjëra parti nuk ka mjaftueshëm vota për të formuar shumicën në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat