Maqedonci tregon se kur do të vijë sistemi Javelin

Aktuale

Maqedonci tregon se kur do të vijë sistemi Javelin

Më: 20 mars 2025 Në ora: 23:22
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka bërë investime të mëdha në sisteme të armatimit dhe është në pritje të sistemit Javelin, një nga armët më efektive kundër mjeteve të blinduara.

Ai tha se gjatë këtij mandati janë shpenzuar 319 milionë euro për blerjen e sistemeve të armatimit, ndërsa bashkëpunimi kryesor është realizuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne kemi trefishuar numrin e pushkëve individuale dhe kemi shtuar shumë sisteme të reja, përfshirë dronët luftarakë Bayraktar dhe sisteme të ndryshme antitank. Përveç Javelin, kemi dhe sisteme të tjera të avancuara në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ndërsa, jemi në pritje të sistemit Javelin, një nga armët më efikase kundër mjeteve të blinduara, për të cilin po bëjmë përpjekje që ta sigurojmë brenda këtij viti”, tha Maqedonci.

Ai tha se pagesat për këto sisteme po realizohen dhe blerjet janë bërë sipas konceptit “shtet më shtet”, përmes Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.

“Ne kemi diskutuar me partnerët tanë nga SHBA dhe vazhdojmë të punojmë për të siguruar sistemin Javelin në kohën e duhur. Prokurimi dhe të gjitha fazat e tjera janë zhvilluar nga Departamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Maqedonci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat