Maloku: Dhjetëshi ka qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së, flet edhe Jakup Krasniqin

Aktuale

Maloku: Dhjetëshi ka qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së, flet edhe Jakup Krasniqin

Më: 24 mars 2025 Në ora: 14:34 Përditësuar në ora: 20:38 më 24.03.2025
Naim Maloku

Maloku: Jakup Krasniqi e ushtroi funksionin e zëvendëskomandantit të UÇK-së vetëm për dy muaj

 Dëshmitari Naim Maloku tha të hënën në Hagë se Jakup Krasniqi e ushtroi për të paktën dy muaj pozitën e zëvendëskomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se këtë pozitë Krasniqi e mbajti në dhjetor të ’98-ës dhe në janar të ’99-ës derisa u caktua si anëtar i delegacionit në Rambuje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Si detyrë parësore, Maloku tha se Krasniqi e kishte atë të zëdhënësit të UÇK-së dhe shef i Drejtorisë për Informim.

“Detyra kryesore bazike ka qenë zëdhënës i UÇK -së dhe shef i Drejtorisë për Informim”, tha Maloku.

Kur u pyet se kush ishte personi me nofkën “11-shi”, dëshmitari tha se me nofkë të tillë e ka njohur Sokol Bashotën në Shtabin e Përgjithshëm. Ndërsa, nofkën “Plaku” dëshmitari tha se e ka kuptuar që e ka pas Xheladin Gashi.

“Mas lufte e kam kuptu që Xheladin Gashi ka qenë”, tha dëshmitari.

Ndryshe, në disa raste seanca ka kaluar në private me arsyetimin e shqyrtimit të dokumenteve të cilat përmbajnë informacione konfidenciale.

Në fund të seancës, mbrojtja e Rexhep Selimit pati disa parashtrime lidhur me një dëshmitar tjetër, por që ato i bëri në seancë private për publikun.

Maloku: Dhjetëshi ka qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së, emrin e Rexhep Selimit e kam mësuar mbas lufte

Se kush ishte inspektor i përgjithshëm i UÇK-së, Naim Maloku tha në Hagë që e ka ditur se ishte një person me nofkën “Dhjetëshi”. Ndërsa, se cili ishte emri i vërtetë i këtij personi, tha se e ka mësuar pas lufte.

Sipas Prokurorit James Pace, në një intervistë për ZPS-në, dëshmitari kishte përmendur Rexhep Selimin si inspektor i UÇK-së, si dhe një prej personave që kishte të drejtë të merrte pjesë në takimet informuese në mes anëtarëve të Shtabit të UÇK-së dhe komandantëve të Zonave Operative, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë kurrë nuk e kam ditë emrin e vërtetë të Rexhep Selimit. E kam ditë si 10-shi si inspektor i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Normalisht nga pozita që ka pas dhe funksioni, ka qenë edhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ju thoni për biseda informative, unë i kam kuptu si mbledhje të Shtabit se komandantët e zonave kanë qenë anëtarë të barabartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, tha ai.

Maloku shtoi që pas luftës të gjithë e dinin se “Dhjetëshi” ishte Rexhep Selimi.

“Të gjithë e dinim që ky person është Dhjetëshi. E dinte Salih Veseli, Bisim Zyrapi. Të gjithë e dinim që është Dhjetëshi”, tha dëshmitari.

Megjithatë, ai tha se nuk e di nëse inspektori i përgjithshëm ka arritur ta ushtrojë funksionin e tij si duhet. Ai e quan befasi dhe një gëzim të madh daljen publike të Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së.

Sipas tij, gëzim ishte dalja me emër dhe mbiemër e dikujt prej UÇK-së, sepse më herët dilnin me nofka. Tha se kjo ngjarje është zhvilluar në qershor të ’98-ës sipas asaj që e kujton.

Maloku u përgjigj ‘tek asaj që i themi shtëpia e bardhë” kur u pyet se e a ka parë Jakup Krasniqin në Shtabin e Përgjithshëm.

Për Cen Deskun dhe Jakup Kastratin, dëshmitari tha se ka dëgjuar kur ka qenë i plagosur përmes një komunikate, që janë ndaluar.

“Ishte në komunikatë në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë ndalu dhe që mbahen diku”, tha ai.

Maloku thotë se pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u bë në nëntor të ‘98-ës, epror i tij ishte Salih Veseli

Naim Maloku tha sot në Hagë se si pjesë e Shtabit të Përgjithshëm dhe konkretisht në Drejtorinë Operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u bë nga nëntori i 1998-ës.

Epror i Malokut ishte Salih Veseli, i cili kishte nofkën “Vetëtima”. Ndërsa, ai shtoi që për t’iu bashkuar Shtabit e kishte ftuar shefi Bislim Zyrapi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Zyrapi e ka ditë që jam në Lladrovc. Dy ditë përpara e kam taku Bislim Zyrapin para 15 nëntorit dhe më 15 nëntor ai e ka dërgu makinën në fshatin Lladrovc për mua. E kemi konsideru që është xhipi i shefit të Shtabit me shoferin dhe më ka marrë mua dhe kemi shku në Shtabin e Përgjithshëm”, tha ai.

Dëshmitari Maloku u pyet se a e ka parë dikë kur ka arritur në Shtabin e Përgjithshëm, e i cili e ka pasur selinë në Divjakë pranë Kleçkës.

“E kam apa aty Shaban Dragën që ka qenë shef i Brigadës 121 e ka pas selinë afër Shtabit. Salih Veselin e kam pa dhe më tha Bislim Zyrapi që ky është shef i yti në Drejtorinë Operative”, tha Maloku, duke shtuar se ka mundur që të shoh edhe persona të tjerë, por që nuk po iu kujtohen.

Naim Maloku u pyet se si dukej selia e Shtabit të Përgjithshëm në Divjakë, për çka tha se ka qenë një shtëpi e bardhë që dallohej nga tjerat.

“Ka qenë një shtëpi që dallohej prej shpijave tjera të fshatit se e kishte fasadën e bardhë dhe të gjithë ne i thonim ‘Shtëpia e bardhë’, pasi Amerika e kishte shtëpinë e bardhë edhe ne e kishim. Pastaj, kanë qenë 2-3 objekte përcjellëse të asaj shtëpie-ferme, shtëpi fshati që pastaj u rinovunë që u bënë për nevoja e drjetorive operative, shefit të Shtabit dhe rojeve që ruanin Shtabin e Përgjithshëm”, tha Maloku.

Ai tha se detyrën e parë në Shtabin e Përgjithshëm e mori nga Bislim Zyrapi, i cili ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm.

“Detyrën e parë e kam marrë më 18 nëntor që ka zgjatë deri më 27 nëntor, e kam marrë prej Bislim Zyrapit me shku në territorin e Brigadës 122 që në fakt s’ishte Brigadë por njësiti “Lumi” me komandantin e asaj Brigade që u caktu. Pra, njësitet “Lumi” me i sistemu në Brigadë”, tha ai.

Dëshmitari u pyet se dikush nga Shtabi i Përgjithshëm a i ka caktuar ndonjëherë ndonjë detyrë.

“Asnjë informatë që ka daël nga Drejtoria Operative nuk ka dalë pa e verifiku Salih Veseli dhe pa e nënshkru Salih Veseli. Ky ka qenë rregull”, tha ai.

Ai tha se nuk ka pasur të drejtë që të nënshkruajë dokumente që dilninin nga Drejtoria Operative.

Ndërsa, ndonjë informacion i cili duhej të diskutohej detyrimisht, Maloku tha se në mungesë të Salih Veselit diskutohej me Bislim Zyrapin.

Dëshmitari u pyet nga prokurori James Pace se a ka pasur ndonjë anëtar të UÇK-së që njihej si “Murrizi”. Maloku tha se me këtë nofkë e ka njohur Agim Zogajn. Tha se afër selisë së Shtabit ka jetuar familja e Zogajt.

Maloku për librin e tij: Mund të ketë pasur ekzagjerime të vogla

 Dëshmitari Naim Maloku u pyet në Hagë lidhur me një libër të tij, për të cilin tha se ka mundur që të ketë disa ekzagjerime të vogla për UÇK-në.

“Mund të ketë pasur ndonjë ekzagjerim të vogël. Në përgjithësi libri pasqyron të kaluarën time”, tha Maloku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari u pyet se çka ka ekzagjeruar në librin e tij lidhur me veprimtarinë dhe funksionin e UÇK-së.

“Ndoshta e kam paraqitë strukturën organizative dhe zinxhirin komandues si strikte. Më lejoni t’ua sqaroj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë ushtri e rregullt vullnetare. Nuk ka qenë e mobilizume në bazë të ligjeve, Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, por është organizu në baza vullnetare”, tha ai.

Ai tha se çdo njësi vullnetare ka përgjegjësi dhe obligime që dallojnë nga njësitë e tjera që mobilizohen sipas ligjit.

Dëshmitari u pyet edhe për rolin e Ilir Konushevcit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Njeri kyç i logjistikës për UÇK-në në Shqipëri. Ishte këmbëngulës që sa më shumë oficerë dhe sa më shumë ushtarakë të futen në Kosovë në radhët e UÇK-së. E di që ka bërë përpjekje maksimale që shumë kolegë të mi që ishin me përvojë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë që të kyçemi”, tha dëshmitari, duke shtuar se përpjekje si Ilir Konushevci kishte bërë edhe Qerim Kelmendi.

Dëshmitari Maloku tha se ka pasur rezerva për kyçjen e tyre në UÇK. Tha se në fillim të veprimtarisë së tij është marrë me trajnimin e vullnetarëve që kanë ardhur nga jashtë në dy kampe që kanë ngritur në malin e Dajtit në afërsi të Tiranës.

Ai tha se më pas kanë shkuar edhe në bazat e logjistikës në Kukës dhe në Bajram Curr për të ngritë strukturën organizative të bazave që armët që grumbulloheshin të dekonzervohen dhe të kontrollohen teknikisht.

Si rrjedhojë, Maloku tha se kjo ishte për shkak se në rast kur ushtarët të merrnin armën që të shkojnë në Kosovë, arma të jetë funksionale për shkak se ka pasur disa raste që kur kanë dalë ushtarët në pritë nuk iu kanë funksionuar armët.

Ai gjithashtu tha se në ’98-ën kanë sugjeruar që të mos vendosin mina kundër këbësorisë.

“E vetmja ushtri që gjatë kohës sa ka vepru dhe funksionu nuk ka qenë e trajnume dhe nuk ka pas në përdorim mina anti-këmbësori. Toka jonë ka qenë, shteti jonë ka qenë se ato mina kanë mujt me met aty të fshehura me dekada më vonë me dëmtu fëmijë, civil, kafshë dhe këtë ia kemi komuniku Ilir Konushevcit. Jo urdhër, se na nuk kemi pas mundësi me i dhënë urdhër Ilri Konushevcit, por i kemi këshillu dhe i kemi thënë që kurrë mos t’iu japë ushtarëve dhe të mos mësohen ushtarët për përdorimin dhe minimin dhe krijimin e fushave të minave anti-këmbësori në territorin e Kosovës”, tha ai.

---

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori James Pace, i cili tha se dëshmitari do të flasë lidhur me rolin që ka pasur ai në UÇK, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dëshmitari W04403 është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-ën, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, tha Pace.

Ndryshe, sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë. Nga kjo kohë, ZPS-ja ka parashtruar se i duhen katër orë ndërsa ekipet e mbrojtjes të gjitha së bashku kanë parashtruar se iu duhen rreth dhjetë orë për kundërpyetje.

Në prova materiale, u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.

Ndryshe, ZPS-ja njoftoi se këtë javë pritet të vijë edhe një dëshmitar tjetër, e po ashtu për të martën e javës së ardhshme është planifikuar një dëshmitar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat