“Rugovën e njihja si kryekomandantin e UÇK-së”: Naim Maloku dëshmon në Hagë, pyetet për deklaratën e vitit 1998

Aktuale

“Rugovën e njihja si kryekomandantin e UÇK-së”: Naim Maloku dëshmon në Hagë, pyetet për deklaratën e vitit 1998

Më: 25 mars 2025 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 12:47 më 25.03.2025
Naim Maloku

Mishetiq kundërshton pyetjet e ZPS-së: Të sqarojë nëse po i bën për rikujtim apo për ta vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarit

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq kundërshtoi pyetjet e prokurorit James Pace lidhur me një takim që dëshmitari Naim Maloku ka pasur me Hashim Thaçin në Kleçkë në gusht të 1998-ës.

Si rrjedhojë, Mishetiq kërkoi sqarim nëse këto pyetje po bëhen për t’i rifreskuar kujtesën dëshmitarit apo për ta vënë në dyshim besueshmërinë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, duke folur për takimin e dëshmitarit me Hashim Thaçin në Kleçkë, Maloku tha se intervistën e tij për Kombin, tani i akuzuari e kishte lavdëruar por që kishte thënë se me disa pika nuk pajtohet.

Prokurori pyeti dëshmitarin tërthorazi se a kishte ndonjë gjë me vete dëshmitari dhe pastaj i bëri pyetje sugjestive se a ka mundësi që Thaçi të ketë pasur këtë intervistë në duar.

Kjo u kundërshtua nga mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq gjë e cila u pranua nga trupi gjykues.

Megjithatë, sërish prokurori bëri pyetje për të marë përgjigjen e tij lidhur me këtë temë, duke i prezantuar një shënim gjatë seancës përgatitore, gjë që çoi në kërkesën e Mishetiq që të bëjë një parashtrim pa praninë e dëshmitarit.

“E kundërshtoj. Nëse doni të vazhdojmë në këtë formë, atëherë duhet të sqarojë Prokuroria se pse po e bën këtë për të rikujtuar dëshmitarin apo për të vënë në dyshim besueshmërinë e tij dhe kjo është e specifikuar në Rregullën 143”, tha Mishetiq pasi dëshmitari doli jashtë.

Ndërsa, prokurori Pace tha se nuk jemi në fazën për të kërkuar leje sipas Rregullës 143.

“Unë po përpiqem t’ia kujtoj t’iu kujtohet nëse e ka thënë diçka gjatë seancës përgatitore. Nëse i kujtohet mirë, nëse nuk i kujtohet atëherë me lejen tuaj do të doja t’ia prezantoja dokumentin përkatës. Nuk është provë kjo. Është thjesht një pistë pyetjesh kjo sepse para një jave dëshmitari ka thënë diçka dhe tani po thotë diçka tjetër”, tha

Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III i kërkoi prokurorit Pace që të mos e lut dëshmitarin që të përgjigjet ashtu siç ata dëshirojnë.

“Mos e lusni atëherë të përgjigjet siç doni ju, bëjeni pyetjen ju dhe thjesht mos e cytni më shumë”, tha ai.

Prokurori e tha pyetjen se cilën dëshiron t’ia bëj dëshmitarit lidhur me këtë çështje dhe gjyqtari tha se do e lejojë, por me kushtin që tema mos të thellohet më tej.

Kur erdhi dëshmitari Maloku në sallë, u pyet se a i kujtohet që në seancë përgatitore kishte thënë se kur u takua me Thaçin kishte intervistën e gazetës “Kombi” në dorë. Dëshmitarit iu kërkua të përgjigjet me po ose jo, por që përgjigja e tij nuk u dëgjua për publikun.

Dëshmitari u pyet se a është takuar më vonë ndonjëherë me Thaçin. Maloku tha se është takuar në Lladrovc.

“Rugova, kryekomandant i UÇK-së”: Maloku pyetet për deklaratën e tij më 1999

Naim Maloku është pyetur për një intervistë të tij në gazetën ‘Kombi’ më 1999, kur deklaronte se e njihte “Ibrahim Rugovën si kryekomandat të UÇK-së”.

Ushtaraku dhe ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë marrjes në pyetje në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Maloku ka thënë se ai besonte se Ibrahim Rugova ishte udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës.

“Po, jam pyetur nga gazetari dhe normalisht se jam përgjigj ashtu. Rugova ishte president i zgjedhur me votë dhe njihej qysh prej viteve 90’ si lider i shqiptarëve të Kosovës”, tha ai.

“Unë gjithmonë i kam pasur këto deklarime. Ju kam thanë se në intervistat e mia ju kam përmbajt konventave ndërkombëtare për propagandën në luftë të cilat ndalojnë thirrjen për dhunë në civil, që ndalojnë thirrjen për dhunë për njerëzit me bindje të ndryshme politike, që ndalojnë thirrjen për dhunë ndaj objekteve fetare – çfarëdo feje qoftë – dhe unë tërë kohën në intervistat e mia, ju kam përmbajt këtij kodi dhe unë askund nuk i kam thyer këto rregulla”, tha Maloku.

Maloku, siç shihet në dokumentin e prezantuar nga ZPS-ja, në një intervistë për hetuesit e Speciales më 2019 deklaronte se edhe pse ishte pjesë e UÇK-së ai kishte dallim me të tjerët lidhur me Rugovën.

“Në një intervistë më 5 korrik 1998, ishte publikuar nga një revistë Kombi, një gazetë, unë deklarova se presidenti i atëhershëm RUGOVA, që unë e njihja atë si kryekomandantin e UÇK-së.

Dhe të tjerët kishin mendime ndryshe, që RUGOVA si presidenti i njohur në atë kohë i shqitparëve dhe Kosovës nuk ishte. Por ky ishte ndryshimi i vetëm në mendimet tona”, citohet të ketë thënë Maloku në këtë intervistë për ZPS-në më 2019.

Tutje, Maloku ka folur edhe për dorëzimin e armës nga ana e tij në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në qershor të vitit 1999.

Maloku: Për herë të parë Hashim Thaçin e kam takuar në gusht të ‘98-ës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

 Dëshmitari Naim Maloku tha se Hashim Thaçin e ka takuar për herë të parë në Prapaqan në gusht të 1998-ës.

“Kjo është e para herë që jam taku. Nja tri ditë para se me ra Loxha”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Maloku tha se edhe një herë gjatë gushtit, e ka takuar Thaçin edhe në Kleçkë.

“Në gusht jam taku edhe në Kleçkë. Ka qenë 2-3 ditë para se me ra Kleçka në shtëpinë e Zenel Shalës që isha i strehum si i plagosur rëndë”, tha ai duke shtuar se Kleçka ka rënë më 25 gusht 1998.

Sipas Malokut, Komandant Kumanova e ka sjellë dëshmitarin atë ditë në Kleçkë. Ai po ashtu tha se për Kumanovën e ka marrë vesh pas luftës  që emrin e vërtetë e kishte Ismet Jashari.

Dëshmitari u pyet nga prokurori James Pace se çfarë roli kishte në UÇK, Faton Mehmetaj.

“Ka qenë epror ose përgjegjës i sektorit ZKZ (Zbulim Kundër Zbulim) në Dukagjin, më duket sa unë kam dëgju që atij i ka ndihmu Fitnet Ramosaj. Ata dy diheshin nga ushtarët e UÇK-së që e kanë atë funksion, atë rol”, u përgjigj Naim Maloku.

Dëshmitari shtoi se e ka takuar në rrugë, por që nuk i kujtohet që ai ka qenë prezent në ndonjë takim.

Ndërsa, për personin me emrin Shpëtim Golemi, Naim Maloku tha se emri i tij i vërtetë ka qenë Dilaver Goxhaj.

Dëshmitari tha se pas Bislim Zyrapit, vendin e tij e zuri Agim Çeku dhe se Dilaver Goxhaj ka ardhur me këtë të fundit, por që nuk e din se çfarë roli ka pasur.

Dëshmitari tha se Agim Çeku ia ka kërkuar që të mobilizohet por që para se t’i vijë vendimi, Maloku ka dorëzuar armën dhe ka njoftuar demobilizimin në ushtri.

Gjatë dëshmisë në Hagë, dëshmitari tha se vazhdimisht ka bërë thirrje për institucionalizimin e UÇK-së dhe shtoi që ishte kundër idesë së Bujar Bukoshit që Shtabi i UÇK-së të vendosej në Tiranë.

--------

Në Hagë, sot, do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në seancën e së hënës në Hagë ka dëshmuar dëshmitarii 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku, i cili pos tjerash, u pyet edhe për pozitën Jakup Krasniqi gjatë luftës. Dëshmitari tha se Krasniqi ushtroi për të paktën dy muaj pozitën e zëvendëskomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se këtë pozitë Krasniqi e mbajti në dhjetor të ’98-ës dhe në janar të ’99-ës derisa u caktua si anëtar i delegacionit në Rambuje, raporton

Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, këtë javë pritet të mbahen vetëm dy seanca gjyqësore.

Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat