Rekomandohet që Policia të shtojë kontrollin
Sot është mbajtur mbledhja urgjente e Këshillit për Siguri në Bashkësi në Komunën e Vushtrrisë, pas dy vrasjeve që kanë ndodhur në dy ditët e fundit.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë ka njoftuar se janë nxjerrë disa rekomandime nga kjo mbledhje urgjente.
Këto rekomandime janë: Drejtoria e Arsimit të mbajë takime të rregullta me prindërit, policia të shtojë kontrollin në të gjithë territorin, në shkolla dhe hapësira publike, gjithashtu shtimi i patrullimeve kombësore në zonat e frekuentuara.
“Respektimi i orarit të punës të lokaleve afariste, gastronomi, si dhe lokalet që si veprimtari kanë videolojërat, në institucionet fetare të mbahen ligjërata vetëdijësuese kundër dhunës, organizimi i fushatave vetëdijësuese”, ishin disa nga rekomandimet tjera, ka thënë Idrizi.
Tutje thuhet se si Komunë e Vushtrrisë mbesin të përkushtuar për bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë, me qëllim ofrimin e sigurisë së plotë për qytetarët.
Idrizi i’u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe qytetarëve të Vushtrrisë.
Më 23.03.2025, një 19 vjeçar është vrarë me armë zjarri nga bashkëmoshatari i tij. Vrasja ka ndodhur rreth orës 20:35 në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri.
Viktima ka inicialet A.Z., ndërsa dorasi ka inicialet B.D.
Tashmë B.D. ka pranuar fajësinë dhe më pas Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tij.
Ndërsa dje, më 24.03.2025 ka ndodhur një tjetër vrasje në fshatin Stanoc ku është vrarë një grua dhe më pas autori i dyshuar ka kryer vetëvrasje.
Familjari i viktimës, Rrahim Ajeti, para gazetarëve ka deklaruar se dyshojnë që vrasja ka ndodhur për shkak se viktima kishte ndërruar vendin e punës dhe nuk punonte më tek dorasi.