Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), kanë shënuar Ditën e Kushtetutës, duke theksuar rëndësinë e këtij akti themeltar për shtetin.
Në këtë ngjarje, është ndarë gjithashtu një mirënjohje për ish kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Gresa Caka-Nimani, për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në forcimin e sistemit gjyqësor dhe në realizimin e Ditës së Kushtetutës.
Menaxherja e programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Arrita Rezniqi nënvizoi se Dita e Kushtetutës nuk është vetëm një përvjetor, por një mundësi për të reflektuar mbi themelet e shtetësisë dhe përkushtimin ndaj demokracisë, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.
Rezniqi: Kjo ditë është një reflektim mbi themelet e shtetësisë sonë
“Kjo ditë nuk është thjesht përkujtim i një akti formal, është një reflektim mbi themelet e shtetësisë sonë, një reflektim i përkushtimit tonë për demokraci, dhe një falënderim ndaj shteteve mike të Kosovës për kontributin në ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe të barabartë për gjithë qytetarët e vet...Për një shtet të ri si Kosova që ka kaluar nëpër histori të vështira dhe sakrifica të mëdha, Kushtetuta përfaqëson një pikë kthese, një angazhim për të ndërtuar një shtet demokratik dhe funksional por në zemër të këtij angazhimi qëndron demokracia...Dita e Kushtetutës nuk është vetëm një përvjetor që shënojmë njëherë në vit, është një përgjegjësi e përditshme, një thirrje për t’i shërbyer vendit tonë me nder, për të mos toleruar padrejtësitë dhe për të kontribuar secili në fushën e vet për një Kosovë më të drejtë”, tha ajo.
Zëvendës-shefja e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Anu Pratipati, lavdëroi Gjykatën Kushtetuese për ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në zhvillimin ligjor të Kosovës, duke përmendur një sondazh që tregon se 78 për qind e qytetarëve besojnë në pavarësinë dhe paanshmërinë e saj.
Patipati: I sfidoj të gjithë në këtë sallë që të përmendin një institucion tjetër në botë që ka një vlerësim kaq të lartë
“Që nga vendimi i saj i parë në vitin 2009, Gjykata është shndërruar në një gur themeli të strukturës shtetërore dhe vendimet e saj vazhdojnë të formësojnë zhvillimin ligjor dhe demokratik të Kosovës. Besimi i publikut në Gjykatën Kushtetuese është një dëshmi e efikasitetit të saj. Sipas një sondazhi të perceptimit publik të vitit 2024, 78 për qind e qytetarëve të Kosovës besojnë se Gjykata është e paanshme dhe e pavarur. I sfidoj të gjithë në këtë sallë që të përmendin një institucion tjetër në botë që ka një vlerësim kaq të lartë. Unë personalisht nuk njoh asnjë tjetër përveç Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një shifër e jashtëzakonshme që flet shumë për integritetin e Gjykatës dhe rolin e saj në mbrojtjen e drejtësisë për të gjithë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet gjyqësore në Kosovë dhe rolin e tyre të rëndësishëm në mbajtjen përgjegjëse të aktorëve qeveritarë. Ne e njohim punën e rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese dhe e nderojmë punën e lidereve si Gresa Caka-Nimani, të cilët janë përkushtuar për ta bërë drejtësinë dhe barazinë jo vetëm ideale, por realitete për qytetarët e Kosovës...Kudo që të jeni, ne do të vazhdojmë të mbështesim sundimin e ligjit dhe demokracinë në Kosovë”, tha ajo.
Tankut Soykan, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, shprehu mirënjohje për përpjekjet e institucioneve kosovare në avancimin e shtyllave të qeverisjes demokratike. Ai vlerësoi Kushtetutën e Kosovës si një dokument që garanton të drejtat e njeriut dhe integrimin e standardeve evropiane në kuadrin ligjor të shtetit.
Soykan: Kosova është një shembull për t’u përgëzuar për integrimin e vlerave demokratike evropiane
“Në emër të Këshillit të Evropës, shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve tuaja në avancimin e këtyre shtyllave thelbësore të qeverisjes demokratike, si dhe të njohim rolin e rëndësishëm që ka Kushtetuta e Kosovës në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë. Kushtetuta e Kosovës nuk është thjesht një dokument ligjor. Ajo është një dëshmi e gjallë e parimeve të barazisë, drejtësisë dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Përmes përfshirjes së një sërë instrumentesh kyçe të Këshillit të Evropës, Kosova ka treguar përkushtimin e saj për të qenë në përputhje me standardet evropiane të të drejtave të njeriut. Sipas Kushtetutës së Kosovës, instrumentet juridike ndërkombëtare kanë përparësi ndaj legjislacionit vendor, duke garantuar që Gjykata Kushtetuese do të marrë vendime në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut të vendosura në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në jurisprudencën përkatëse. Në këtë drejtim, Kosova është një shembull për t’u përgëzuar për integrimin e vlerave demokratike evropiane në kuadrin e saj ligjor dhe institucional”, ka thënë ai.
Sipas tij, një nga arritjet kyçe në këtë drejtim ka qenë përmirësimi i cilësisë dhe efikasitetit në menaxhimin e lëndëve.
Në anën tjetër, ish kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, e cila mori mirënjohjen, e vlerësoi atë si një shenjë kujtimi për punën e saj dhe përkushtimin ndaj shtetit. Ajo theksoi se kjo mirënjohje reflekton arritjet e Gjykatës Kushtetuese, të arriturat e Kosovës, dhe punën e madhe që ende ka përpara.
Caka Nimani: Sot bashkëndajmë këtë mirënjohje, që reflekton të arriturat e Gjykatës, të arriturat e Kosovës
“(Këtë mirënjohje) do e mbaj si shenjë kujtimi të një pune të palodhshme, me shumëdashuri, bindje të thellë dhe përkushtim, për të cilën tashmë më ka marrë edhe malli. Por, mbi të gjitha do e mbaj si shenjë kujtimi të nderit dhe privilegjit që kam patur për t’i shërbyer shtetit tim si gjyqtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese...Kemi rritur bashkëpunimin, fizibilitetin dhe vlerësimin e respektin e Gjykatës në kuadër të forumeve ndërkombëtare të drejtësisë kushtetuese duke përfaqësuar Republikën tonë me profesionalizëm dhe dinjitet. Bashke kemi insistuar e kemi kaluar çdo sfidë, kemi festuar çdo arritje, andaj sot bashkëndajme këtë mirënjohje, që reflekton të arriturat e Gjykatës, të arriturat e Kosovës, por edhe punën e madhe që kemi përpara”, tha Caka-Nimani.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill të vitit 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.