Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë përuruar pikën e përbashkët të kalimit kufitar "Hani i Elezit - Bllacë".
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se tash e tutje qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të vendit pritës.
“Krijimi i pikave të përbashkëta është më shumë sesa infrastrukturë kufitare. I iniciuar në vitin 2021, modeli i ri i pikëkalimit kufitar në Ballkan është shembull i përparimit konkret dhe praktik dhe dëshmon rritjen e mirëbesimit. Tash e tutje qytetarët do të kontrollohen në hyrje të vendit pritës,” theksoi Kurti.
Kjo pikëkalim kufitare është më e frekuentuara, ku çdo vit kalojnë rreth 4 milionë udhëtarë.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, u shpreh se integrimi është vizion i tyre.
Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, theksoi rëndësinë e pikëkalimit të përbashkët kufitar.
“Kufiri nuk duhet të jetë mur – mund të jetë urë e përbashkët që lidh mundësitë dhe idetë. Një urë përmes së cilës do të kalojnë miliona qytetarë. Ne nuk ndërtojmë vetëm infrastrukturë, por edhe besim të ndërsjellë,” tha ai.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se pika e përbashkët kufitare është një hap i rëndësishëm për të dy vendet, duke mundësuar qarkullim më të lehtë.
“Qytetarët tanë, gjatë kalimit, do të kenë vetëm një ndalesë kontrolli, që do të minimizojë pritjet e tyre,” u shpreh Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, tha se pikëkalimi i përbashkët kufitar do të ndihmojë zhvillimin e tregtisë dhe shkëmbimeve ekonomike.
“Qëllimi është i qartë: kalim më i lehtë, më i sigurt dhe më i shpejtë. Që do të thotë një kontroll në vend të dy kontrolleve. Pikëkalimi kufitar Hani i Elezit – Bllacë është më i frekuentuari. Po hapim kapituj të rinj: tregti më të mirë dhe miqësi më të fortë mes dy shteteve.”
Ky pikëkalim i përbashkët është një nga dy pikat kufitare të parashikuara sipas Protokollit për Zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, i nënshkruar në nëntor 2024 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.