​Haxhiu: Opozita po tenton të vonojë konstitumin e Kuvendit

Aktuale

​Haxhiu: Opozita po tenton të vonojë konstitumin e Kuvendit

Më: 15 prill 2025 Në ora: 14:34
Albulena Haxhiu

Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, deputetët e LVV-së Albulena Haxhiu dhe Artan Abrashi thanë se përgjegjëse për dështim është opozita, duke tentuar sipas tyre ta vonojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e VV-së Albulena Haxhiu tha se kjo letër-dorëheqja e Albin Kurtit ishte në përputhje me Kushtetutën e legjislacionin në fuqi.

Sipas saj, opozita ka në hall kryeministrin në detyrë Albin Kurtin e Lëvizjen Vetëvendosje.

Haxhiu: Opozita e refuzoi votimin e këtij raporti, ndonëse gjithçka ishte në përputhje me Kushtetutën

"Grupi Parlamentar i VV-së ishte i gatshëm që të jetë i pranishëm me prezencë fizike në ketë seancë dhe të votojë, të bëjë betimin e deputetëve, dhe të vazhdojmë me procedura tjera. Por, ndodhi një situatë e paprecedent, opozita nuk e votoj raportin e Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Një situatë që nuk ka ndodhur në të kaluarën, opozita e refuzoi votimin e këtij raporti, ndonëse gjithçka ishte në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi. Kjo opozitë asnjë fjalë nuk e tha asnjëherë kundrejt listën serbe, as në KQZ, as në kohën kur diskutohej për certifikimin por kanë hall kryetari e Lëvizjes, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje", tha Haxhiu.

Ndërsa deputeti tjetër, Artan Abrashi i cili e kryesoi këtë komision shtoi se mosvotimi i Komisionit ishin arsyetime të paqena duke penguar votimin.

Abrashi theksoi se Komisioni ka qenë i njoftuar lidhur me dorëheqjen e Kurtit dhe ministrave.

Abrashi: Përmes arsyetimeve të paqena është penguar votimi i raportit të KQZ-së

"Ishim dëshmitarë të një situate të paprecedent. Përmes arsyetimeve të paqena është penguar votimi i raportit të KQZ-së, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më herët, si do të veprojë tash e tutje mbetet të shihet.. Edhe sipas njoftimit të kryeministrit, është njoftuar komisioni lidhur me dorëheqjen", shtoi Abrashi.

Mos votimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka cilësuar “sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike”.

Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan të martën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat