Abdixhiku kujton Racin në 24-vjetorin e vrasjes: U munduan t’ia ndalin hapin, por kurrë nuk e zhdukën idealin e tij

Aktuale

Abdixhiku kujton Racin në 24-vjetorin e vrasjes: U munduan t’ia ndalin hapin, por kurrë nuk e zhdukën idealin e tij

Më: 24 prill 2025 Në ora: 09:52
Ismet Raci

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar ish-kryetarin e komunës së Klinës dhe veprimtarin e orëve të para të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Rraci, në 24-vjetorin e vrasjes së tij.

Abdixhiku e kujtoi Racin si zë të fuqishëm i lirisë në kohët më të errëta, si shtyllë e parë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, një mik i ngushtë dhe besnik i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, dhe si një nga themelet e para të shpresës për një Kosovë të lirë e demokratike.

“Lavdi jetës dhe veprës së Ismet Rracit – veprimtarit që e deshi Kosovën më shumë se jetën! 24 prilli na rikthen tek një nga plagët e hapura të Kosovës – humbjen e njërit ndër veprimtarëve më të mirë të saj, Ismet Rracin. Në këtë 24-vjetor të vrasjes së tij, Ismet Rracin e kujtojmë me dhimbje, por edhe me krenari të thellë për gjithçka që ai përfaqësonte”, u shpreh Abdixhiku.

Tutje, i pari i LDK-së thotë se Raci u vra pabesisht rrugës drejt shtëpisë së tij, duke u munduar t’ia ndalnin hapin, mirëpo sipas tij, nuk mundën t’ia zhdukin asnjëherë idealin e tij.

“Ai nuk u tërhoq asnjëherë përballë sfidave. Me guxim, mençuri dhe vizion të pastër, themeloi Degën e LDK-së në Klinë dhe iu përkushtua me gjithë jetën e tij ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë. Pas luftës, qytetarët e Klinës ia besuan udhëheqjen e komunës, duke e zgjedhur kryetar. Dhe ai, si gjithmonë, shërbeu me dinjitet e me përgjegjësi të lartë. Por më 24 prill 2001, në një akt tinëzar që na tronditi të gjithëve, ai u vra pabesisht, në rrugën drejt shtëpisë së tij. Ata deshën të ia ndalnin hapin, por nuk mundën kurrë ta zhdukin idealin e tij. Sepse Ismet Rraci, në rrugëtimin tonë jeton në trashëgiminë që na la pas. Vrasja e tij është një plagë e hapur për familjen, për LDK-në dhe për gjithë Kosovën”.

Sot, kujtojmë jo vetëm figurën e një udhëheqësi, por shpirtin e një njeriu që jetoi me përkushtim, me ndershmëri dhe me shumë dashuri për vendin. Lavdi përjetë jetës, veprës dhe sakrificës së veprimtarit Ismet Rraci!”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat