Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci thotë se ose formojnë institucionet e reja si parti fituese ose vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton KosovaPress.
Peci nga Lista Guxo i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje tha se pjesa e hatër mbetjes me kandidaten e LVV-së për kryekuvendare mund të shkoj pak më gjatë, por beson që opozita do të reflektoj.
“Ose i themelojmë institucionet dhe bëjmë Kuvendin edhe e themelojmë ne qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër.. Votat nuk i kemi pas as për pjesën e verifikimit të mandateve por ndoshta kjo pjesa e hatër mbetjeve për kryetaren e Kuvendit mund me shku pak më gjatë, por prapë unë besoj që opozita do të reflektoj në ditët në vijim”, tha ai.
I pyetur se si po shkojnë diskutimet me Nismën Socialdemokrate, Peci tha se ato janë të vazhdueshme.
“E di që ka diskutime të vazhdueshme, përkrahja eventuale e Nismës për koalicionin tonë nënkupton se bëhet shumica shqiptare”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar sërish të zgjedh Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit, edhe në tentimin e katërt.
Emri i Haxhiut u propozua edhe të premten më 25 prill nga nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca.
Me 118 deputetë të pranishëm në sallë, Albulena Haxhiu mori 57 vota për, 47 kundër dhe 3 abstenime.
Vazhdimi i seancës, tha Dehari, do të bëhet të dielën më 27 prill në orën 10:00.
Ky ishte tentimi i gjashtë për konstiuimin e Kuvendit të Kosovës.