Patriarku Porfirije vajton për Kosovën te Putini – Bilalli: Alarm për Kosovën!

Aktuale

Patriarku Porfirije vajton për Kosovën te Putini – Bilalli: Alarm për Kosovën!

Nga: A.SH Më: 26 prill 2025 Në ora: 10:43
Foto nga takimi

Vizita e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, te presidenti rus Vladimir Putin, konfirmon misionin shovinist e antishqiptar të Kishës Serbe ndaj Kosovës.

Në Moskë, Porfirije kërkoi hapur mbështetje nga Rusia dhe Kina për të penguar shtetësinë e Kosovës, duke deklaruar se pa Kosovën dhe Republikën Srpska, "populli serb është pa perspektivë".

Opinionisti Lutfi Bilalli, thotë se takimi, ku mori pjesë edhe Patriarku rus Kirill, theksoi lidhjet e thella historike serbo-ruse dhe u shndërrua në një sinjal alarmi për destabilizimin e mundshëm të rajonit.

Tutje, ai bën thirrje që institucionet e Kosovës kërkohet të reagojnë fuqishëm ndaj këtij misioni të rrezikshëm, që mbulon agjenda politike nën petkun fetar.32

Shkrimi i plotë:

Patriarku Porfirije vajton për Kosovën tek Putini! Misioni ogurzi i KOS-it ndaj Kosovës!

Vizita e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe Porfirije në Rusi dhe takimi i tij me Putinin tregon qartë dimensionin destruktiv, shovenist dhe antishqiptar që luan Kisha Ortodokse Serbe në raport me Kosovën në veçanti dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi.

Të analizojmë dy citate që tregojnë shumë për shpresën e kishës serbe dhe priftërinjve të tyre gjatë gjithë historisë në raportet e tyre me kishën ruse dhe Rusinë:

Patriarku Porfirije tha "se në të kaluarën paraardhësit e tij – patriarkët e kishës serbe – kanë qenë gjithmonë të lidhur me patriarkët e kishës ruse".

Në anën tjetër, Mitropoliti i Baçkës Irinej tha "se anija jonë e vogël, që lundron në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur me anijen e madhe ruse".

Në takim ishte prezent edhe Patriarku rus Kirill, i cili i rikujtoi carit rus Vladimir Putin lidhjet dhe dashurinë gjatë historisë që kanë serbët për Rusinë, duke shtuar tutje se gjeni i tyre është i mbushur me "vëllazëri sllave-ruse"!

Por edhe citati i dytë dhe kërkesa e Patriarkut të Kishës Serbe, Porfirije, i cili iu drejtua Putinit:

"Duhet theksuar se ju jemi mirënjohës për gjithçka në lidhje me mbështetjen dhe qëndrimin tuaj për Kosovën dhe Republikën Srpska, dhe sigurisht Malin e Zi – populli ynë, kisha jonë është atje. Dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur sepse – pavarësisht nga politika, pavarësisht nga njerëzit, pavarësisht nga lajmet që kemi – mund të themi pa Kosovën dhe pa Republikën Srpska, populli serb është pa perspektivë”, duke vazhduar tutje ai tha:

"Unë kam qenë atje (në Kosovë e ka fjalën) për Pashkë, kam shërbyer patriarkalin (shërbimin) – është selia e Patriarkanës serbe. Ne e dimë shumë mirë se pa mbështetjen tuaj dhe mbështetjen e Kinës, nuk e di se çfarë do të ndodhte me Kosovën".

E tëra kjo tregon që Kisha Serbe dhe Patriarku Porfirije nuk kanë mision frymën fetare dhe misionin e koegzistencës hyjnore apo fjalën e Zotit për të përhapur frymën e dashurisë dhe paqes mes popujve dhe besimeve fetare, por nxisin urrejtje dhe kërkojnë ndihmë nga Rusia dhe "vëllazëria" ortodokse ruse në raport me Kosovën dhe shqiptarët.

Sigurisht që e tëra kjo rrezikon brishtësinë e sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe nxitë orekset serbe dhe një lloj nazizmi serb ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Institucionet e shtetit tonë paraprakisht duhet të reagojnë tek bashkësia ndërkombëtare që fjalorin dhe gjuhën e Patriarkut serb Porfirije ta kenë parasysh dhe të distancohen nga kjo frymë që mbjell urrejtje mes popujve.

Organet tona nuk është dashur të lejojnë hyrjen e Porfirijes në Kosovë, edhe pse ai nën misionin e festës së Pashkëve defakto nuk kishte vetëm liturgji fetare, por të kundërtën – mohimin e shtetit të Kosovës dhe ngritjen e mitit serb mbi tokën tonë të banuar den baba den nga shqiptarët.

Misioni i KOS-it nën kamuflazhin e petkut fetar duhet të vëzhgohet dhe të paralizohet me të gjitha mjetet.

Kosova duhet të jetë e përgatitur për sfidat që e presin me misionarët e "vëllazërisë sllave-ruso-serbe"!

P.S. Pas festës së Pashkëve, Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

Gjatë takimit, ku morën pjesë edhe Patriarku rus Kirill dhe Mitropoliti Irinej i Baçkës, temat e bisedës, përpos marrëdhënieve të ngushta midis Kishës Ortodokse Serbe dhe ruse, ishin edhe Kosova, shkuarja e Aleksander Vuçiqit në Moskë më 9 maj dhe protestat në Serbi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat