Dështuan sërish në konstituimin e Kuvendit, Geci ka një thirrje për partitë politike

Aktuale

Dështuan sërish në konstituimin e Kuvendit, Geci ka një thirrje për partitë politike

Nga: A.M. Më: 27 prill 2025 Në ora: 13:00
Kuvendi i Kosovës

Gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postimin e kryetarit të Kuvendit.

Madje, edhe sot deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as pas tentimit të shtatë radhazi, pasi kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, për kryetare të Kuvendit, përsëri nuk u votua të dielën.

E në lidhje me bllokadën e krijuar në Kuvend, ka reaguar ashpër Halil Geci.

Ai përmes një shkrimi u shpreh se sovrani është tradhtuar nga liderët poliitk, pasi institucionet po i përdorin për akuza, përjashtime dhe konfrontime.

Madje, Geci tha se kriza më e madhe nuk është ajo e numrave, por e besimit.

Image
Halil Geci.

“Institucionet tona po shndërrohen nga ura bashkimi në mjete përçarjeje. Në vend që të ndërtojnë dhe shërbejnë popullin, udhëheqësit tanë i përdorin për akuza, përjashtime dhe konfrontime. Sovrani është tradhtuar: vota e tij shpërfillet, zëri i tij heshtet, ndërsa zhgënjimi dhe dëshpërimi mbizotërojnë.

Zgjedhjet u mbajtën, por institucionet mbetën të paralizuara. Sovrani foli me votë, politika ia ktheu shpinën me heshtje. Sot, kriza më e madhe nuk është ajo e numrave, por e besimit – në liderë, në parti, në vetë shtetin”, tha Geci.

Po ashtu, ai nënvizoi se Kosova tani ka nevojë për bashkim të forcave dhe jo për ndarje të interesave.

Ku me këtë, u bëri thirrje partive politike për unitet dhe përgjegjshmëri poliitke e morale.

Shteti nuk është pasuri private. Është amaneti më i shenjtë i qytetarëve. Ata që e përdorin, e keqpërdorin apo e shkatërrojnë, një ditë do të duhet të japin llogari: moralisht, politikisht dhe patjetër, ligjërisht.

Kosova ka nevojë për ndërtim, jo për vetëshkatërrim. Për bashkim të forcave, jo për ndarje të interesave. Për drejtësi të vërtetë, jo për emocione që ndjekin inate e shkatërrim”, shkroi ndër të tjera Halil Geci, përcjell “Bota sot”.

Theksojmë se, konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill, po dështon për shkak se Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.

Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu i mori vetëm 57 vota për të dielën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat