Në njëvjetorin e vdekjes së tij, është përkujtuar për jetën dhe veprën e tij, veprimtari Ali Lajçi. Në një akademi përkujtimore të e organizuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, u tha se dahsuria e parë dhe më e madhe e tij ishte atdheu.
I biri i tij, Ngadhnim Lajçi, u shpreh se humbja e babait të tij nuk ishte vetëm humbje e familjes, por e gjithë popullit, pasi që ishte pjesë e historisë së vendit.
Lajçi: Dashuria e tij e parë dhe më e madhe ishte atdheu
“Një vit pas largimit të babit nga kjo botë, jemi mbledhur për të kujtuar jetën dhe veprën e tij. Një vit më parë humbëm një njeri që nuk ishte vetëm babai ynë, por pjesë e historisë së këtij vendi. Babai ynë, në vitet e errëta të pushtimit, kaloi vitet më të bukura të rinisë së tij në burgjet serbe. Dashuria e tij e parë dhe më e madhe ishte atdheu. Edhe ne si fëmijë mësuam që në vogëli se liria që gëzonim nuk ishte e falur, por e fituar me shumë gjak, dhimbje dhe durim,” u shpreh ai.
I pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se përvoja e gjatë e tij ishte e dukshme por edhe e dobishme për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të asaj kohe.
Kurti: Përvoja e Lajçit ishte shumë e dobishme për ne
“U bë një vit nga vdekja e Ali Lajçit. Në historinë politike moderne të Kosovës ka një gjeneratë të aktivistëve politikë që rëndom janë referuar si brezi i '81-shit. Ali Lajçi i takonte pikërisht kësaj gjenerate. I lindur në Malaj të Rugovës, ka qenë politikisht aktiv gjatë të gjithë jetës së tij. Në demonstratat e vitit '81, Lajçi u shqua si veprimtar politik. Pas luftës ishte kryetari i Pejës dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës. Jam njohur dhe kam bashkëpunuar kur ai u bashkangjit Lëvizjes Vetëvendosje. Përvoja e gjatë dhe aq e pasur ishte shumë e dukshme tek ai dhe shumë e dobishme për ne,” tha Kurti.
Ndërsa, profesori i Klubit Intelektual të Kosovës, Zymer Neziri, shtoi se tashmë Lajçi njihet nga të gjitha brezat për shkak të demonstratave të vitit '81 që ishin kthesë e madhe e historisë së Kosovës.
Neziri:Ali Lajçi tashmë njihet nga disa breza
“Ali Lajçi tashmë njihet nga disa breza se ishte në krye të demonstratave të '81 që ishin kthesë e madhe në historinë sonë për përpjekje për liri e bashkim. Pas luftës së UÇK-së, e drejtoi Pejën dy vite dhe vazhdoi deputet. Në kohën kur u nda nga jeta ishte anëtar i Kryesisë së të Burgosurve të Kosovës.”, tha ai.
Në vitin 1981, Lajçi ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vjet burg. Pas lirimit më 1991, sërish u burgos në vitin 1993 për organizimin e rezistencës së armatosur.