Një reagim i fortë nga Burim Meta ka goditur ish-kryeministrin Isa Mustafa, i cili u kritikua për deklaratat përçmuese ndaj angazhimeve ndërkombëtare të Presidentes Vjosa Osmani.
Ai thotë se Mustafa, që dikur mori pushtetin përmes tradhtisë ndaj votuesve, po minimizon përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare, përfshirë takimin me Donald Trump dhe vizitat zyrtare në Finlandë dhe Selinë e Shenjtë.
“Ai që kontribuoi në izolimin e Kosovës, sot s’mund të pranojë suksesin e tjetrit”, thuhet ndër të tjera, duke theksuar se Osmani gëzon mbështetje të madhe popullore dhe respekt ndërkombëtar.
Shkrimi i plotë:
REAGIM!
Isa Mustafa, një ish-kryeministër që turpëron veten sa herë hap gojën.
Njeriu që me mashtrim mbajti pushtetin duke shkelur interesin e shtetit, sot ka guximin të quajë “shetitje” diskutimin për Kosovën që Presidentja pati me Presidentin Trump (dhe rreth 30 liderë tjerë shtetëror) dhe vizitat shtetërore në Finlandë me ftesë zyrtare të Presidentit të atij vendi, apo në Selinë e Shenjtë në nderim të Papa Françeskut.
Është turp i madh për një ish-kryeministër - të katapultuar në atë pozitë përmes tradhëtisë ndaj votuesve - të përçmojë përfaqësimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, thjesht sepse nuk është më vetë në qendër të vëmendjes. Pikërisht udhëheqja e politikës së jashtme dinjitetshëm sic po e bënë Presidentja është mbrojtja e interesave të shtëpisë, por Isa Mustafa që kurrë s’qe në gjendje as të përfaqësojë si duhet shtetin e as të përballet me Serbinë si duhet, nuk e kupton këtë.
Ky është i njëjti njeri që, me vendime të fshehta dhe kalkulime personale, kontribuoi në dobësimin e institucioneve, në izolimin ndërkombëtar dhe në humbjen e thellë të besimit të qytetarëve në shtet.
Sot, kur Presidentja Vjosa Osmani ka mbështetjen e 81% të qytetarëve për një mandat të dytë sipas IRI (Instituti Republikan Amerikan) e kur përfaqësues ndërkombëtar deri te Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s na tregojnë sa respektohet Presidentja jonë në botë, Isa Mustafa nuk ka më as mbështetje publike, as dinjitet politik.
Le të merret me nipat e mbesat, sepse çdo deklaratë e tij vetëm e kujton opinionin publik për dëmin që i ka bërë Kosovës.