Publicisti Milaim Nela ka reaguar ashpër ndaj Kuvendit të Kosovës, ku gjatë seancës së djeshme u mbajt një minutë heshtje me rastin e “Ditës së dëshmorëve”.
Në një postim në Facebook Nela e ka konsideruar si të turpshëm veprimin e deputetëve të Kosovës duke thënë se 5 maji simbolizon ditën e vrasjes në pabesi të Qemal Stafës, themelues i Partisë Popoviçiane të Shqipërisë e që nuk ka asnjë lidhje me Kosovën dhe martirët e saj!
Sipas Nelës, Kosova ka shumë data që mund të nderojë martirët e saj por në asnjë mënyrë datën 5 Maj!
Postimi i plotë:
Ç'lidhje ka Kosova me 5 majin (e pabesisë enveriste)?
Pashë mbrëmë në lajme që Kuvendi i Kosovës paska nderuar 5 Majin si ditën e Dëshmorëve!
E rëndë dhe e turpshme!
Kosova sigurisht duhet të ketë një datë për nderimin e martirëve të Lirisë së saj, por pse 5 Majin e cila është një datë që simbolizon vrasjen në pabesi të Qemal Stafës, një themeluesi të Partisë Popoviçiane të Shqipërisë e që nuk ka asnjë lidhje me Kosovën dhe martirët e saj!
Nuk e di se si është vendosur kjo datë e nga kush?
Kuvendi i Kosovës duhet ta ndërrojë në mënyrë urgjente këtë datë se nuk ka asnjë lidhje me ata që dhanë jetën për lirinë e saj.
Përkundrazi shokët e Qemal Stafës jo vetëm e lanë Kosovën nën Jugosllavi por brigadat partizane vranë dhe masakruan djemtë më të mirë të saj duke luftuar krah partizanëve serbë. Kam parasysh këtu vrasjen e Shaban Polluzhës por sidomos 7 mijë djem e burra të Kosovës që u detyruan të bëjnë një udhëtim sfilitës Hanibalian në itinerarin Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër e të përfundonin në Tivar ku u masakruan në pabesi duke lënë nga faqet më të zeza të historisë së luftës së dytë botërore ndër shqiptarë!
Kosova ka shumë data që mund të nderojë martirët e saj por në asnjë mënyrë datën 5 Maj!
Një datë domethënëse do të ishte 5 Marsi data e rënies së heroit Adem Jasharit dhe familjes së tij apo një datë fjala vjen e betejës së Koshares!
Ju lutem hiqni dorë nga ky turp sepse data 5 maj nuk na bashkon por na ndan e na ndan me një kujtim shumë të rëndë!