Sociologu dhe analisti politik Fadil Maloku ka bërë një thirrje publike drejtuar partive opozitare në Kosovë që të tregohen më tolerante në situatën e re politike, duke mbështetur kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Maloku sugjeron se një hap i tillë do të ndihmonte në lehtësimin e procesit për formimin e institucioneve dhe në krijimin e një klime më të qetë politike.
“Ish-opozita do bënte mirë që sot të dëshmohej pak më 'tolerante' dhe ta votonte Albulenën për Kryetare, në mënyrë që në 'betejat' për mandatarin e ri t'i jepet mundësia secilit subjekt ta testojë forcën e tij reale,” shkroi ai, duke e shoqëruar postimin me një proverb domethënës: “I mençuri lëshon pe.”
Ky qëndrim vjen në një moment kritik për zhvillimet politike në vend, ku balancat parlamentare janë ende të paqarta dhe pritet të fillojnë negociatat për krijimin e qeverisë së re. Maloku përçoi mesazhin se një gjest i tillë i matur politik mund të shërbejë si hyrje për një fazë më të përgjegjshme dhe bashkëpunuese në skenën institucionale të Kosovës.