Ekspertët: Vizita e Vuçiqit te Putini minon rrugën evropiane të Serbisë

Aktuale

Ekspertët: Vizita e Vuçiqit te Putini minon rrugën evropiane të Serbisë

Më: 12 maj 2025 Në ora: 18:41
Foto nga takimi

Shqiprim Pula, analist i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka folur lidhur me vizitën e Aleksandar Vuçiqit në Moskë.
Ai në emisionin FIVE në RTV Dukagjini ka thënë se është për t’u habitur mosreagimi apo reagimi i dobët i Brukselit zyrtar në lidhje me vizitën e Vuçiqit në Moskë.

“Serbia tashmë ndjek dy rrugë paralele. Pra, kemi një lloj Serbie e cila paraqitet në Bruksel me motivin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe, në anën tjetër, ajo që respekton të kaluarën shekullore në lidhjet e saj historike, kishtare dhe shtetërore me Rusinë,” ka deklaruar Pula.

Pula tutje ka thënë se udhëheqësia e Brukselit prej vitesh duket se e kanë lexuar situatën gabimisht dhe se kanë besuar në figura politike të gabuara në Serbi.

“Kemi një lider kontravers [Vuçiqin] sa i përket ndjekjes së rrugës së anëtarësimit, qoftë në Bashkimin Evropian apo edhe në NATO,” ka thënë ai.

Lidhur me këtë vizitë ka folur edhe njohësi i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli.
Ai ka thënë se vizita e Vuçiqit në Moskë “rrezikon” rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

“Në aspektin e bisedës me Putinin, Vuçiqi e ka tërhequr edhe një paralele – është biseduar edhe për Kosovën, edhe për gjeopolitikën në Ballkan, pastaj edhe për çështjen e Gazprom-it… dhe ka qenë njëra ndër pikat marrëveshja tekniko-ushtarake,” ka thënë ai.

Sipas tij, vizita e Portofjes ishte më e rëndësishme në Moskë sesa ajo e Vuçiqit. Madje, sipas tij, ky i fundit ishte “lënë anash” nga protokolli krahasuar me delegacionet e vendeve të tjera pjesëmarrëse.

“Në aspektin e dialogimit me Putinin, janë prekur disa tema që mund të them se për gjithë Ballkanin mund të jenë të rrezikshme për ndonjë vatër të ardhshme krize,” ka thënë Bilalli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat