Dënohet qytetari se nuk ktheu kuletën me para – çka fshihet prapa?

Aktuale

Dënohet qytetari se nuk ktheu kuletën me para – çka fshihet prapa?

Më: 16 maj 2025 Në ora: 19:35
Pamje nga videoja

Një kuletë me 193 euro, e gjetur në tokë nga një qytetar i Fushë Kosovës, pritet ta dërgojë atë në burg.

Ndërkohë, asnjë zyrtar i lartë që ka fshehur pasuri shumë më të mëdha nuk ka kaluar asnjë ditë pas grilave.

Këtë dallim të madh në trajtimin e qytetarëve të zakonshëm dhe zyrtarëve publikë, e ka kritikuar njohësi i drejtësisë Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, që e dënoi 49-vjeçarin me 7 muaj burgim efektiv, 500 euro gjobë dhe kthimin e shumës së gjetur, Shala e quan si pjesë të një politike të padrejtë ndëshkimore që po zbatohet në Kosovë.

Sipas Shalës, gjykata nuk ka marrë fare parasysh rrethanat lehtësuese, si gjendja e rëndë ekonomike, problemet shëndetësore dhe detyrimet bankare të të dënuarit, por është fokusuar vetëm te e kaluara e tij penale.

Ai përkujton se në raste të ngjashme, madje edhe për vepra më të rënda, si dhuna në familje, dënimet janë më të buta.

Media ka kërkuar informacione zyrtare për të kaluarën penale të 49-vjeçarit nga Fushë Kosova, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”, kryer më 15 maj 2023.

Burimet bëjnë të ditur se ai ka gjithsej 24 lëndë penale të përfunduara, shumica e tyre në Ferizaj, Kaçanik, Istog dhe rasti i fundit në Prishtinë.

Për këtë vendim të fundit, mbrojtja e tij pritet të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat