​Qeveria po finalizon skemën mbështetëse për bizneset

Aktuale

​Qeveria po finalizon skemën mbështetëse për bizneset

Më: 20 maj 2025 Në ora: 11:17
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë në Republikën e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se janë duke finalizuar një skemë të re mbështetëse për prodhuesit vendorë, e cila do t’i ndihmojë ata të përballojnë sfidat që sjell liberalizimi i tregut të energjisë.

Rizvanolli ka shkruar në Facebook se kjo skemë do të mbështetet me financim nga LuxDev - Agjencia e Zhvillimit të Luksemburgut, dhe do të përfshijë një seri masash për të përmirësuar efikasitetin energjetik dhe ulur koston e energjisë për bizneset kosovare.

“Disa nga masat që do të ofrohen janë izolimi i ndërtesave për të përmirësuar përdorimin e energjisë dhe për të ulur humbjet, sistemet solare fotovoltaike (FV) për prodhimin e energjisë rinovueshme, sistemet solare termike për ngrohje të ujit, bateritë për sisteme solare FV për ruajtjen dhe përdorimin e energjisë në kohë të ndryshme, rregullatorët e fuqisë reaktive, të cilët ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë reaktive dhe rritin e efikasitetit të pajisjeve që përdoren nga bizneset”, ka shkruar ajo.

Ministrja Rizvanolli theksoi se kjo skemë do të redukojë kostot e energjisë, do të rrisë konkurrueshmërinë dhe do të sigurojë më shumë siguri për bizneset që operojnë në Kosovë. Ajo gjithashtu shtoi se kjo mbështetje është pjesë e një iniciative më të gjerë për të mbështetur prodhuese vendorët në periudhën e liberalizimit të tregut të energjisë, që sjell sfida të reja për sektorin privat.

Në kuadër të kësaj iniciative, ministrja në detyrë Rizvanolli, së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, zëvendëskryeministrin në detyrë Besnik Bislimi, dhe ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në detyrë, Rozeta Hajdari, diskutuan me përfaqësues të odave dhe bizneseve vendore në Forumin “Liberalizimi i Tregut të Energjisë Elektrike: Efektet dhe Masat Lehtësuese”.

Ky forum është pjesë e Platformës për Dialogun Publiko-Privat, një hap i rëndësishëm për krijimin e politikave që do të mbështesin bizneset në përballimin e sfidave të reja.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet angazhuar të jetë një partner i ngushtë i sektorit privat, duke siguruar masat dhe politikat e duhura për rritjen dhe zhvillimin e tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat