Lirohet ish-deputeti i Vetëvendosjes pas ndalimit nga autoritetet serbe

Aktuale

Lirohet ish-deputeti i Vetëvendosjes pas ndalimit nga autoritetet serbe

Më: 26 maj 2025 Në ora: 15:26 Përditësuar në ora: 16:46 më 26.05.2025
Gramos Agusholli

Lirohet ish-deputeti Agusholli pas ndalimit nga autoritetet serbe

Ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gramos Agusholli, është liruar nga autoritetet serbe pasi u ndalua sot në pikën kufitare në Merdar, bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Ministria e Jashtme njofton se Agusholli tashmë ka vazhduar rrugën e tij drejt destinacionit të planifikuar në Slloveni.

MPJD shprehu shqetësim për ndalime të tilla, duke i cilësuar ato si praktika represive nga Serbia që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut.

“MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Ndalohet në Merdar ish deputeti i Vetëvendosjes

Njoftim për ndalimin e ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Serbi

Sot paradite, më 26 maj 2025, jemi njoftuar për ndalimin e ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gramos Agusholli, nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.

Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin.

MPJD dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast. Çdo informacion i ri do të shpërndahet menjëherë pas konfirmimit zyrtar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat