Krejt çfarë ndodhi në Ministrinë e Bujqësisë dhe intervistimit të Faton Pecit

Aktuale

Krejt çfarë ndodhi në Ministrinë e Bujqësisë dhe intervistimit të Faton Pecit

Më: 28 maj 2025 Në ora: 07:54
Faton Peci

Media sjell detajet e plota të një prej operacioneve më të rëndësishme hetimore të ndërmarra nga organet e drejtësisë kundër zyrtarëve të lartë të Qeverisë Kurti, me në qendër Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Më 27 maj 2025, Njësia e Veçantë e Hetimeve, me autorizim të Prokurorisë Speciale dhe urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka realizuar bastisje në katër lokacione kyçe të sistemit të bujqësisë: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë – AUV, Zyra e kompanisë “LIP KS&IT Sh.P.K” në Ferizaj, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë – AZHB.

Operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për dy vepra penale: Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar – neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Ndihma – neni 33 i KPK-së

Në fokus të hetimit janë dy figura të rëndësishme: Faton Peci, ministër i MBPZHR dhe Bekim Hoxha, drejtor ekzekutiv i AUV.

Sipas hetuesve, dyshimet janë se gjatë periudhës korrik 2024 – janar 2025, Peci dhe Hoxha, duke bashkëkryer veprën penale, kanë tejkaluar kompetencat e tyre për të siguruar përfitime të kundërligjshme për vete apo për persona të tretë, në lidhje me kontratën për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore, të lidhur më 18.09.2024.

Çfarë u sekuestrua?

Gjatë bastisjes u sekuestruan pajisje elektronike, si kompjuterë dhe telefona, dokumentacion i gjerë financiar dhe zyrtar si dhe kontrata, procesverbale, e-maila zyrtarë, dhe të dhëna të tjera që mund të shërbejnë si prova në procesin penal

Çfarë ndodhi me ministrin?

Siç mëson media, Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në prani të avokatit të tij mbrojtës.

Për rastin si i dyshuar është intervistuar edhe dhe Bekim Hoxha, kryeshefi i AUV-it. Gjithashtu, është intervistuar edhe një person tjetër, N.M., në cilësinë e dëshmitarit.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PSRK, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, por hetimet mbeten aktive dhe priten zhvillime të reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat