Endrit Nika, i cili akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë më 2023, është deklaruar i pafajshëm të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Fillimisht, prokurori i rastit Armend Hamiti e lexoi aktakuzën, për të cilën i akuzuari Nika u deklarua i pafajshëm/
“100% i pafajshëm”, u shpreh i akuzuari Nika, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse të palëve në procedurë, ku prokurori Hamiti deklaroi se në bazë të provave të propozuara si në aktakuzë, dëgjimit të dëshmitarëve dhe provave materiale, do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se akuzuari ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- avokati Betim Shala deklaroi se e mbështet fjalën hyrëse të prokurorit, duke theksuar se edhe familja e të ndjerës i bashkohet kësaj ndjekje penale. Tha se gjatë këtij procesi gjyqësor do të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nika, avokati Drilon Imeri, deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, duke u shprehur se mbrojtja vlerëson se i akuzuari do të lirohet nga akuza si i pafajshëm.
Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitares u dëgjua nëna e të ndjerës M.K-U, M.M-M., e cila rrëfeu për lidhjen që kishte bija e saj me tani të akuzuarin Nika. Ajo përshkroi gjithë rrjedhën e ngjarjes vetëm nga komunikimet që kishte përmes telefonit me të bijën.
Dëshmitarja deklaroi se vajza e saj ishte njohur në Barcelonë me të akuzuarin Nika, ndërsa në Kosovë kishe ardhur pasi që ishte ftuar në dasmën e vëllait të të akuzuarit.
“Më tregoi se është ftuar në dasmën e vëllait të Endritit në Kosovë, më tregoi se prindërit e Endritit tashmë kanë shkuar në Kosovë dhe po organizojnë dasmën”, tha M.M-M.
Ndërsa, e pyetur se si kishte kuptuar për ngjarjen, dëshmitarja deklaroi se atë e kishte kontaktuar shoqja e tani të ndjerës.
“Shoqja e saj ka komunikuar me mua në Argjentinë, ka qenë 2 gusht, ora 17:30 pasdite dhe me thotë diçka i ka ndodhë”, tha ndër të tjera dëshmitarja.
Sipas planifikimit të kësaj gjykate, në radhë për dhënien e dëshmisë ishte edhe një dëshmitare tjetër, mirëpo prokurori Hamiti kërkoi ndërprerjen e seancës për arsye shëndetësore.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.