Në Prishtinë po vijon edicioni i tretë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës e familjarë, kanë folur për plagët e luftës, dukë bërë thirrje që ky krim të raportohet te autoritetet vendore.
Në panelin me titullin "Drejt Drejtësisë: Forca dhe Historia e të Mbijetuarve”, ka folur i mbijetuari i dhunës seksuale dhe burri i parë i cili publikisht ka folur për dhunimin, Ramadan Nishori.
Ai tregoi për betejën që e ka pasur me vetën për të marrë shërbime psiko-sociale por edhe për te ndarë me familjen tmerrin që ka përjetuar.
Nishori: E kam marrë vetën pas seancave
"Para se të shkoj në organizatë kam menduar t'i bëjë keq edhe vetës. Por ndërkohë duke marrë pjesë në seanca, vija duke e marrë vetën, e ndjeja vetën për çdo ditë më përkrahës dhe më i çliruar. Dhe pas disa vitesh, filluam të marrë pjesë edhe në seanca grupore me të mbijetuar të tjerë dhe fillova çdo herë edhe me marrë forcë më shumë. Por, forca shumë e madhe është kur i kam treguar bashkëshortes më së pari. Para se t'i tregojë bashkëshortes, se tek ne të mbijetuarit, sidomos mbrëmja, është shumë e vështirë, se në mbrëmje të vjen si ngufatje, ikja në gjysmë të natës, ikja prej shtëpisë dhe qaja. Dhe kur i kam treguar bashkëshortes e hoqa edhe atë barrë shumë të rëndë", u shpreh ai.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë të mbijetuarve që të raportojnë tmerrin e përjetuar gjatë luftës.
Nishori: Thirrje për të mbijetuarit që të drejtohen në organizata
"Mos të hezitojnë, le të lajmërohen në organizata, të marrin ndihmë psikologjike dhe të bëjnë padi nëpër organet e drejtësisë. Prej 14 prillit kur kam folur publikisht, janë lajmëruar nëpër organizata edhe katër persona të tjerë. Unë ju bëjë thirrje prapë, çdo i mbijetuar nuk i them që menjëherë t'i tregojë familjes, por fillimisht kërkoni ndihmë nëpër organizata dhe do ta tejkaloni", shprehet ai.
Për traumën e përjetuar pas luftës, foli edhe Venesa Sulimani - vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyretes.
Sulimani: Trauma nuk ndalet me një brez
"E di çfarë do të thotë të rritesh nën hijen e një tmerri që nuk është i yti, por që prek çdo pjesë të jetës tënde. Një kujtesë e përhershme se trauma nuk ndalet me një brez, por rrjedh, shtrihet, dhe gjen mënyra të reja për të jetuar brenda nesh të gjithëve. E kam parë nënën time duke luftuar për të mbijetuar çdo ditë - jo vetëm nga ajo që i ndodhi gjatë luftës, por edhe nga heshtja e shoqërisë, stigmatizimi dhe mungesa e drejtësisë. Nga kjo heshtje, jam rritur duke bërë pyetje, duke u përpëlitur natën pa gjumë, me një nevojë të thellë për t’i dhënë zë asaj që u hesht për kaq shumë kohë”, tha ajo.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se historia e Kosovës ka tejkaluar kufijtë me rrëfimet publike të Vasfije Krasniqit, Shyrete Sulimanit e Ramadan Nishorit.
Rushiti: Intervenimi në kohë është më se i domosdoshëm
"Intervenimi në kohë është më se i domosdoshëm, flasim për rimëkëmbjen emocionale, shëndetësore dhe ligjore e më pastaj edhe drejtësia. Ndër këto vite, na vjen mirë që në mesin e 20 mijë grave dhe burrave, i kemi tri figura emblematike që kanë kaluar kufijtë e Kosovës", tha Rushiti.
E gazetarja ukrainase e cila po jeton në Kosovë, Lydmilla Makvey tha se në Ukrainë deri më tani 340 qytetarë e kanë raportuar dhunën seksuale.
Mekvey: Rreth 340 qytetarë ukrainas e kanë raportuar dhunën seksuale
"Kur fillova të shkruaj artikujt, e prezantova përvojën e Kosovës për audiencën ukrainase dhe atë ndërkombëtare. Natyrisht, situata në Ukrainë është ndryshe. Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, rreth 340 qytetarë ukrainas kanë raportuar dhunë seksuale gjatë luftës ruso-ukrainase. Por ne e dimë që ky numër është shumë, shumë më i madh", tha ajo.
Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizohet nën udhëheqjen e presidentes, Vjosa Osmani.
Dje dhe sot janë planifikuar të mbahen mbi 30 panele diskutime, me mbi 150 folës.
Ky është edicioni i tretë, ku tema kryesore e forumit do të jetë "Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë"!