Deputeti i PDK-së Artan Behrami përmes një postimi në Facebook u shpreh se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes shkëmbimit të letrave me BE-në ka vazhduar mandatin e EULEX-it, rrjedhimisht edhe të Gjykatës Speciale në Kosovë.
Lidhur me këtë ka ardhur edhe reagimi nga ana e Presidencës së Kosovës.
‘’Deputeti Artan Behrami është mirë të mos shpif. Presidentja as nuk cakton e as nuk vazhdon mandat të gjykatës speciale. Mandati i kësaj gjykate është përcaktuar me amandament kushtetues të votuar nga 2/3 e Kuvendit të Kosovës dhe ai nuk mundet as të ndryshohet e as të ndërpritet apo vazhdohet nga institucioni i Presidencës’’ thuhet fillimsht në reagim nga Bekim Kupina – Këshilltar për Media nga zyra e Presidentës.
Më tutje Kupina është shprehur se Presidentja ende nuk ka nënshkruar asgjë sa i perket mandatit të EULEX-it, edhe pse është plotësisht në mandatin e saj ta bëjë një gjë të tillë, siç ka qenë njësoj në mandatin e Presidentit Thaçi, kur ai ia vazhdonte mandatin teknik të EULEX-it, për mentorim, monitorim dhe këshillim.
Vazhdimi i mandatit të EULEX-it, është përcaktuar në Vendimin e Këshillit të BE-së të datës 5 qershor 2025, vendim ky që është publik, thuhet në reagim.