Pas intervistimit, lirohen në procedurë të rregullt katër zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës

Aktuale

Pas intervistimit, lirohen në procedurë të rregullt katër zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës

Më: 12 qershor 2025 Në ora: 10:21 Përditësuar në ora: 15:24 më 12.06.2025
Foto ilustrim

Pas intervistimit, lirohen në procedurë të rregullt katër zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës

Katër zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës të cilët u intervistuan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë liruar në procedurë të rregullt.

Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në aksionin që u zhvillua të enjten në Ministrinë e Infrastrukturës, janë intervistuar katër zyrtarë të kësaj Ministrie.

Burime të “Betimit për Drejtësi“, bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Sabit Muzaqi, Florije Selimi, Vjollca Vishaj dhe Edila Gosalci.

Mësohet se rasti ndërlidhet me çështjen e licencimit të autoshkollave.

Këto janë tri zyrtaret e Ministrisë së Infrastrukturës të ndaluara nga Policia – Njëra prej tyre, nëna e reperit të njohur

Media ka siguruar emrat e tri zyrtareve të Ministrisë së Infrastrukturës që janë ndaluar deri më tani nga Policia e Kosovës, si pjesë e hetimeve që lidhen me dyshimet për shkelje të rënda ligjore.

Burime të besueshme konfirmojnë se të ndaluarat janë: Florije Selimi – zyrtare në MI, njëherësh nëna e reperit Getoar Selimi, Edila Gosalci dhe Vjollca Visha.

Arrestimi i tyre është bërë pas veprimeve të koordinuara nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, ndërsa dyshimet që rëndojnë mbi to lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprime që mund të kenë dëmtuar interesin publik në kuadër të projekteve të infrastrukturës.

Hetimet janë në fazën e grumbullimit të provave, ndërsa pritet të ketë edhe ndalim të zyrtarëve të tjerë brenda ditëve në vijim.

Policia konfirmon aksionin në Ministri të Infrastrukturës – hetime ndaj disa personave

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës me autorizim zë Prokurorisë, ka nisur një aksion në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ky aksion po zhvillohet mbi bazën e dyshimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kjo është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, kanë thënë nga Policia.

Aksion në Ministrinë e Infrastrukturës, ka të arrestuar

Prishtinë- Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë po zhvillon të enjten një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Panifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

“Betimi për Drejtësi” merr vesh se deri tani, nga ky aksion janë arrestuar tri zyrtare të kësaj Ministrie.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje nga Policia dhe Prokuroria, por deri tani nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, gjatë një operacioni policor në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, Policia më 29 maj arrestoi 11 të dyshuar për keqpërdorime me patentë shoferë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat