Flamuri kuqezi, i cili qëndron në varrezat e dëshmorëve të Pejës, dikujt po ia zë rrugën.
Në varrezat e Lagjes Dardania 3 të qytetit të Pejës, vend ky në të cilin prehen trupat e 7 dëshmorëve dhe qindra banorëve të tjerë pejanë, shkeli këmba edhe e dikujt që nuk hyri për homazhe e as për rikujtim të të vdekurve – por për të dëmtuar.
Para dy javësh, për herë të tretë brenda tri vjetësh, flamurin e shqeu dhe ia zhduku gjurmët totalisht dikush i panjohur.
Brahim Komoni, i cili është familjar i disa të rënëve në luftë që prehen në varrezat në fjalë, thotë që për herën e fundit kur u dëmtua sërish flamuri kombëtar, u njoftua nga një komshi i tij.
E kjo madje nuk ishte më risi për të, ngase dëmtimet u bënë të shpeshta.
Jo vetëm flamurin, por herën e parë kur ndodhi rasti, kryerësi i veprës e kishte larguar komplet shtyllën metalike ku ishte i vendosur flamuri andaj Komoni u detyrua ta zëvendësojë me komplet një shtyllë të re.
Pas kësaj, as policinë Komoni nuk la pa e informuar, ndonëse thotë që identifikimi i fajtorit ende nuk është bërë.
Por kujt po i pengon flamuri kuqezi?
Sipas Komonit, afër Lagjes Dardania 3, është fshati Gorozhdec, kryesisht i banuar nga serbët, dhe ka mundësi që dikush nga banorët atje mund të jetë fajtori.
Kjo ngase sipas tij, është e pabesueshme që shqiptarët mund ta kenë prekur.