Instituti Albanologjik i ka quajtur ndërhyrje politike reagimet e Ministrisë së Arsimit për caktimin e Meliza Krasniqit ushtruese e detyrës së drejtorit të Institutit, duke thënë se ky propozim është bërë në mënyrë ligjore dhe se nuk do të pranojnë asnjë ndërhyrje nga MASHTI-i, raporton KosovaPress.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Adil Olluri duke e quajtur reagimin e MASHTI-it të panevojshëm, tha se komunikimi në mes këtyre dy institucioneve duhet bërë në mënyrë institucionale.
Olluri i ka bërë thirrje MASHTI-it ta rishqyrtojë qëndrimin e vet duke thënë se kjo ministri po tenton të ndërhyjë në Institutin Albanologjik.
Olluri: Reagimet të çuditshëm të MASHTI-t i vjen era ndërhyrje
“Reagimi i tyre ka qenë i panevojshëm dhe i paarsyeshëm meqë në mënyrë ligjore në bazë të legjislacionit në fuqi që e kemi ne kemi caktua ushtruesin e detyrës duke respektuar të gjitha dispozitat tona që i kemi në fuqi. Ushtruesi i detyrës ka ardhur si propozim i Këshillit Shkencor ashtu siç e thotë statusi jonë...Pas propozimit të Këshillit Shkencor dhe votimit me shumicë të votave nga ana e këshillit shkencor ku ishin 18 vota, prej tyre 15 pro, 2 abstenime dhe 1 kundër këshilli shkencor ka propozuar zonja, Meliza Krasniqi si ushtruesi e detyrës së drejtorit dhe ai propozim i ka shkuar këshillit drejtues në afate optimale...Mbledhja e Këshillit Drejtues e mbajtur më 20 qershor i kishte të pranishëm 4 anëtarë të këshillit drejtues tre anëtarë me të drejtë vote dhe mua si kryesues... Në atë mbledhje nuk ka asgjë kontestuese, në atë mbledhje unë kam qenë kryesues i këshillit nuk ka asgjë kontestuese kontestimi është vetëm në arsyet që ne nuk i dimë. Reagimet e çuditshme të ministrisë i vjen era ndërhyrje dhe tërësisht ndërhyrje. Instituti Albanologjik është institucion i pavarur kërkimor shkencor, nuk pranojmë asnjë ndërhyrje të tillë, jemi të gatshëm të rezistojmë dhe ta mbrojmë pavarësinë tonë institucionale”, theksoi ai.
Olluri theksoi se mbledhjet e Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik po i bojkotojnë anëtarët e Ministrisë së Arsimit.
Gëzim Aliu, anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik, tha se arsyetimi i MASHTI-it se nuk ka pas kuorum për votim të Meliza Krasniqit është i pavërtetë. Sipas tij ndërhyrjet e kësaj ministri karshi Institutit Albanologjik janë politike.
Aliu: Ndërhyrjet e MASHTI-t janë politike
“Nuk është propozuar vetëm Meliza Krasniqi të jetë e qartë Fadil Grajqevci e ka propozuar edhe Arbnora Dushin, Arbnora Dushi e ka refuzuar, pas pak Arbnor Dushi e ka propozuar Fadil Grajçevci...Kemi mbetur Arbnora Dushi refuzon, Fadil Grajçevci nuk mundet dhe kemi me një propozim që e ka bërë Adil Olluri të Meliza Krasniqit dhe ka vazhduar procedura për votimin ka pas kuorum është votuar i ka marr shumicën absolute të votave... Arsyetimi i ministrisë se nuk ka pasur kuorum është i pavërtetë, është manipulim i fakteve. Këto ndërhyrje brutale të ministrisë unë i quaj ndërhyrje politike ata po synojnë të kenë të drejtë pa argumente, ne kemi të drejtë këtu është dallimi mes neve”, tha ai.
Ndërkaq lidhur atë nëse kundërshtimet e MASHTI-t kanë të bëjë se Meliza Krasniqi është bashkëshorte e kreut të PDK-së, Aliu beson se kjo mund të jetë një ndër shkaqet.
Berisha: Fakti se Meliza është gruaja e një politikani, mund të jetë ndër shkaqet e ndërhyrjes së MASHTI-t
“Ajo është punëtore e përkushtuar dhe puna e saj profesionale në Institutin Albanologjik pa asnjë ndërlidhje me politike, ajo nuk është e angazhuar politikisht dhe pse rastësisht ka qëlluar gruaja e dikujt që tani është politikan, unë mendoj se mund të jetë një ndër shkaqet e ndërhyrjes politike të ministrisë, por është ndërhyrje tërësisht e padrejtë“, tha ai.
Ish-ushtruesi i detyrës së Institutit Albanologjik, Naim Berisha tha se nga janari 2024 Instituti Albanologjik po ballafaqohet me telashe për hapjen e konkursit për drejtor. Sipas tij një denoncim në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe tendencat e MASHTI-it për të imponuar një draft kanë sjell këtë situatë.
Berisha: Drafti është në mospërputhje ligjore
“Këshilli drejtues ka konstatuar se drafti i dërguar nga ministria është në mospërputhje ligjore se si ne funksionojmë, pra nuk është e vërtetë që Instituti nuk ka dashur ta hapë konkursin ose nuk e ka hapur konkursin. Pjesën e mandatit të parë timin, ka qenë Agjencia Kundër Korrupsion që ka konstatuar që nuk ka konflikt interesi tash nga janari e këndej pengesa për mos hapjen e konkursit të rregullt për drejtor është MASHTI, sepse ata duan ta imponojnë një draft jo ligjor për Institutin Albanologjik që është komplet i kundërt me draftet që kanë shpallur Instituti i Historisë dhe Pedagogjik”, tha ai.
Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik edhe për këtë të premte ka ftuar një takim të radhës. E dje dy herë radhazi ka reaguar MASHTI, duke thënë se vendimi është marrë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me rregulloren e brendshme.