Muhamet Kelmendi, njohës i Kushtetutshmërisë, duke folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tha se në aspektin juridiko-kushtetues duhet vlerësuar ashtu siç është dhënë, nuk mund të bëhet interpretime të një aktgjykimi të tillë nga Gjykata Kushtetuese.
Kelmendi foli për anën juridike dhe kushtetuese vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
”Aktgjykimet Gjykata Kushtetuese i nxjerrë dispozitat të cilat janë obligative dhe organet kompetente në Kosovë, të gjithë qytetarët duhet të respektojnë dhe të zbatojnë në praktikë”, tha Kelmendi.
Kelmendi pati kritika në çështjen e votimit në Kuvend, lidhur me atë se a mund të vazhdohet me votim të hapur apo të fshehtë, teksa sqaroi se aktgjykimi i Kushtetueses ka thënë se duhet të vijohet në praktikën e deritashme të votimit, duke shtuar se kjo çështje është dashur të merret vesh në mbledhjen përgatitore të Kuvendit të Kosovës, nën kryesimin e ish-kryetarit Glauk Konjufca, ku sipas tij, është marrë si e logjikshme mënyra e votimit të hapur.
Sipas Kelmendit, për Gjykatën Kushtetuese, kalimi nga votimi i hapur në të fshehtë, juridikisht nuk është e lejueshme, sepse deri më tashti ka qenë praktikë solemne e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kelmendi ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e saj për përcaktimin e afatit kohor në konstituimin e Kuvendit.
”Gjykata Kushtetuese nuk është aty për të nxjerrë normë të re juridike dhe për të përcaktuar e për të dalë mbi Kushtetutën e Kosovës dhe mbi normat juridike që ka Kushtetuta. Përcaktimi 30-ditor i takon vetëm Kuvendit, i cili duhet të rregullojë këtë çështje në bazë të normave juridike dhe të rregullores së Kuvendit”, tha Kelmendi në RTK.