Deputetët dështojnë ta konstituojnë Kuvendin sipas afatit të Kushtetueses

Aktuale

Deputetët dështojnë ta konstituojnë Kuvendin sipas afatit të Kushtetueses

Më: 26 korrik 2025 Në ora: 07:28 Përditësuar në ora: 22:15 më 26.07.2025
Kuvendi i Kosovës

Limaj pas takimit me Osmani: Pa veprime konkrete, vetëm shpjegime për ngërçin politik

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se afati 30-ditor i paraparë nga Kushtetuta për konstituimin e Kuvendit nuk është konsumuar ende, pasi deputetët nuk kanë pasur mundësi të votojnë.

Pas seancës së fundit, Limaj ka zhvilluar një takim me presidenten Vjosa Osmani, ku kanë shkëmbyer mendime rreth zhvillimeve politike në vend. Ai tha se presidentja ishte e interesuar për situatën aktuale, por nuk ka pasur asnjë veprim tjetër pas këtij takimi.

“Me presidenten kemi pasur takim dhe thjesht kemi shkëmbyer mendimet pas seancës. Presidentja u interesua për zhvillimet, nuk ka asgjë më tepër,” tha Limaj.

Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesa nga deputetët për gjetjen e një zgjidhje politike dhe, duke marrë parasysh se deputetët nuk kanë pasur rastin të votojnë ende, afati 30-ditor nuk mund të konsiderohet i konsumuar.

“Më 26 qershor ka hyrë në fuqi, sot jemi në ditën e fundit, por deputetët e Kosovës nuk kanë pasur rastin të votojnë. Si të tillë, vlerësojmë që afati nuk është konsumuar,” tha Limaj.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur situata politike në Kosovë mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet për konstituimin e Kuvendit vazhdojnë.

Bekë Berisha: Kam votë pro në votim të hapur

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka deklaruar se nuk mund të bëhet vetëm ai i përgjegjshëm për të mundësuar konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se situata është bërë “e bajatshme” dhe mund të zgjidhet nga kryeministri Albin Kurti nëse ka vullnet politik.

“Votën e kam treguar qysh e jap, me votim të hapur, ashtu si edhe shumë deputetë të tjerë.

Nuk lejoj të keqpërdoret as sinqeriteti im, as vota ime. Nuk duhet të jem vetëm unë i përgjegjshëm. Duhet të reflektohet.

Ky problem mund të zgjidhet nga Albin Kurti që tash, por ai nuk po do”, ka thënë Berisha.

​Sala Jashari shpreson të ketë sonte votim të hapur

Bashkëkryesuesja e seancës konstitutive, deputetja Sala Jashari shpreson që sonte në seancën konstituive të mundësohet votim të hapur për kryeparlamentar.

Para fillimit të seancës, ajo tha se pret reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje, në mënyrë që të dilet nga ngërçi politik.

Jashari: Shpresoj që LVV ka reflektuar për votim të hapur

“Po shpresoj shumë që LVV ka reflektuar dhe të mos ta lejojë që të zvarritet edhe më tutje për shkak që qytetarët e Kosovës kanë nevojë për lidership të vërtetë, për ata që me të vërtetë dëshirojnë të kontribuojnë për vendin e tyre, sepse në fund të fundit inatet nuk duhet të jenë parësore, duhet të jenë të fundit apo hiç fare kur është në pyetje Kosova... Në çdo tentativë ne kemi pritur realisht që LVV të reflektojë për shkak që ne kemi dhënë mundësi për kompromis realisht, kështu që ne kemi dhënë kompromisin tonë. Shpresoj që edhe sot do të reflektojnë meqë është hera e fundit sipas Gjykatës Kushtetuese... (Pyetet se a do të ketë votim të hapur) Unë shpresoj që po”, deklaroi ajo.

Deputetja e PDK-së tha para mediave se nuk ka filluar kjo legjislaturë ashtu siç ka dashur.

Jashari: Nuk ka filluar ky rrugëtim siç ka dashur

“Fillimisht, vetë fakti që jam deputetja më e re e këtij kuvendit, e legjislaturës së nëntë, për mua është një nder dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Nuk ka filluar siç kam dashur edhe siç do të donte çdo i ri dhe e re që do ta fillon këtë rrugëtim. Çka do që e shoh tash është që çdo deputet duhet të jetë i përgjegjshëm edhe në asnjë moment të mos krijojë lojëra politike siç ka ndodhur deri sot”, tha Jashari.

Armend Zemaj: VV-NSIMA ende s’kanë asgjë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se shpresat për të pasur ndonjë ndryshim në seancën e orës 22:00 janë të pakta.

“S’është vonë asnjëherë për të konstituar Kuvendin. Por shpresat janë të vogla”, ka thënë Zemaj.

Ai ka thënë se s’kanë dëgjuar që ka ndonjë marrëveshje mes VV-së e NISMA-s, por shton se kanë dëgjuar që ka presion ndaj disa partive minoritare.

“S’ka diçka në mes të NISMAs dhe VV-së, por kemi dëgjuar që ka një presion ndaj partive minoritare”, ka deklaruar Zemaj.

Agim Bahtiri flet para seancës së ‘natës’

Ndonëse arriti në objektin e Kuvendit të Kosovës në orët e vona, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, dha një përgjigje të shkurtër për mediat.

I pyetur nëse të gjithë deputetët e LVV-së do të jenë të pranishëm në seancën e 54-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, Bahtiri u përgjigj shkurt:

“Sigurisht që po”.

Megjithatë, kur u sfidua me pyetjen nëse kanë numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e Albulena Haxhiut, ai shmangu përgjigjen dhe u largua pa koment.

Çitaku: Kemi ofruar kompromise tona

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku është deklaruar para seancës së natës që mbahet në tentativën e fundit për ta funksionalizuar Kuvendin.

Ajo tha se insitutcionet e Republikës së Kosovës janë “peng i kokëfortësisë Albin Kurtit” dhe siç tha ajo është në dorën e tij që të zhbllokojë këtë situatë.

“Kemi ofruar kompromise tona, por fatkeqësisht e kemi një kryetar partie që e refuzon idenë e bashkëpunimi”.

“Kosova dhe e ardhmja e saj është shumë më e rëndësishme se karriera e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut”.

​Deputeti i PDK-së tregon pritjet e tij para seancës së gati-mesnatës

Deputeti i PDK-së Elmi Reçica ka treguar pritjet e tij nëse do të ketë sonte konstituim të Kuvendit dy orë para përfundimit të afatit 30-ditorë nga Gjykata Kushtetuese, teksa ka komentuar edhe takimet e presidentes Vjosa Osmani sot me kryetarin e VV Albin Kurti dhe atë të Nisma Fatmir Limaj.

Reçica ka thënë për KosovaPress se nuk pret të ketë një zgjidhje as në vazhdimin e seancës së radhës.

Reçica: Seancat e natës janë bërë për Albin Kurtin shumë atraktive

“Seancat e natës janë bërë për Albin Kurtin shumë atraktive. Nuk pres diçka. Normal, se ka pasur përpjekje të vazhdueshme, janë munduar, kanë tentuar të blejnë shumë nga deputetët, por nuk besoj se do të ketë diçka. E vetmja mundësi është që të tërhiqen nga ajo kandidaturë”, ka thënë ai.

Reçica ka folur edhe rolit të presidentes në daljen nga ngërçi institucional në të cilin ka hyrë vendi tash e sa muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Reçica: Presidentja e ka të obliguar që të zhbllokojë gjendjen në Parlament të Kosovës

“Presidentja e ka të obliguar që të zhbllokojë gjendjen në Parlament të Kosovës, sepse edhe ajo e ka detyrim kushtetues. Nuk besoj se do të jetë presidentja në gjendje të tillë që të krijojë një gjendje të favorshme për të bërë një zgjidhje... Ajo duhet t’i ftojë të gjitha partitë ndaras sikurse ka bërë herën e kaluar”, ka thënë Reçica.

Sonte tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit – Çfarë pritet të ndodhë?

Për herë të 54-të me radhë, sot në orën 22:00, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të bëjnë një tentativë të fundit për konstituimin e legjislaturës së re, përpara se të skadojë afati kushtetues 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Nëse edhe kjo përpjekje dështon, Gjykata ka vendosur masë të përkohshme, e cila ndalon çdo veprim dhe vendim të deputetëve të zgjedhur, duke filluar nga 27 korriku 2025, derisa të merret një vendim i ri.

“Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore… dhe ndalimi i çdo vendimi pas 26 korrikut është në interes publik”, thuhet në vendimin e publikuar. Sipas saj, veprimet e mëtejshme pa konstituim do të sillnin “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.

Ndërkohë, partitë politike nuk kanë arritur konsensus për emrin e kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje insiston që kandidatura të mbetet Albulena Haxhiu, por kjo është refuzuar nga PDK, AAK dhe LDK, të cilat po kërkojnë një emër më unifikues ose tërheqjen e kandidaturës nga LVV.

Në rast se dështon edhe seanca e sotme, si opsion serioz po përmenden zgjedhjet e reja.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, thirret seancë për në orën 22:00

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan sërish sot në tentimin e fundit për konstituimin e Kuvendit, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se seanca do të vazhdojë sërish sot në orën 22:00, për një tentativë të fundit, të 54-t.

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi. Ky afat përfundon sot në mesnatë.

107 deputetë ishin të pranishëm në sallë, por konstituimi dështoi pasi që sërish nuk pati propozime dhe kuorum për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.

Edhe një përpjekje e fundit për konstituimin e Kuvendit

Pa sinjale se mund të jetë arritur një zgjidhje, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës po mblidhen sot për herë të fundit në kuadër të seancave të shumta konstituive, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj - në votat e të cilit ka llogaritur më së shumti Lëvizja Vetëvendosje - tha se nuk pret ndonjë ndryshim sot, duke sinjalizuar se për të 53-tën herë do të dështojë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Para nisjes së seancës, edhe Lumir Abdixhiku dhe Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Time Kadriaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thanë se nuk presin konstituim të Kuvendit.

“Jemi munduar që ta themi në vazhdimësi se pa marrëveshje politike nuk ka as konstituim të Kuvendit”, tha Zemaj.

Nëse konstituimi i Kuvendit nuk bëhet as sot, në përpjekjen e 53-të, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, pak orë para nisjes së seancës, u bënë thirrje deputetëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit për ta konstituuar Kuvendin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat